Aksident i rëndë në Koplik, 1 i vdekur dhe 2 të plagosur nga përplasja e makinave, një nga shoferët në polici
Pas të dielës së përgjakur në rrugë, edhe e hëna nisi me aksident të rëndë. Një person humbi jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur pasi dy makinat me të cilat udhëtonin u përplasën ballë për ballë në hyrje të Koplikut.
Durim Lushaj, 45-vjeç, që udhëtonte si pasagjer në mjetin tip "Volksvagen", mori plagë të rënda të cilave nuk mundi tu mbijetojë.
Të plagosur mbetën drejtuesi i makinës dhe pasagjeri tjetër, të cilët janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Siç tregojnë pamjet, goditja ka qenë e fortë sa mjetet kanë pësuar deformime dhe njëra ka përfunduar duke u përplasur me sinjalistikën rrugore.
Për të nxjerrë të plagosurit që mbeten të bllokuar brenda në makina u kërkua ndërhyrja e forcave zjarrfikesë.
Ekspertët e policisë lokale kryen veprime në vendngjarje dhe shoqëruan shoferin 20-vjeçar në mjetit tip "Benz" deri në sqarimin e rrethanave.
Nga të dhënat e para, dyshimet janë se shkak për aksidentin u bë një parakalim i gabuar dhe shpejtësia e lartë me të cilën lëviznin mjetet.
3 persona humbën jetën të dielën në aksidente rrugore. Një 33-vjeçar ndërroi jetë pasi humbi kontrollin e mjetit në aksin Gjirokastër-Tepelenë.
Një tjetër viktimë u shënua pas një aksidenti në aksin Qafë Thanë-Librazhd, ku drejtuesi i një furgoni ndërroi jetë pas përplasjes me një minibus.
Ndërsa një këmbësor u përplas për vdekje në Krujë. Të paktën 11 persona ndërkohë mbetën të plagosur!
Sipas ekspertëve, shkaku kryesor i aksidenteve në rrugët e Shqipërisë është sjellja e shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Njoftimi i policisë për aksidentin
Rreth orës 11:10, në unazën e qytetit të Koplikut, mjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin E. P., 20 vjeç, banues në Rrashkullaj, Malësi e Madhe, është përplasur me mjetin tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin L. B., 40 vjeç.
Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë pasagjeri që udhëtonte në mjetin tip “Volkswagen” shtetasi D. L., rreth 45 vjeç dhe janë plagosur shtetasit L. B. (drejtuesi) dhe E. Sh., të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i automjetit tip “Benz” është shoqëruar në ambientet e Policisë, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

