Shtëpia me X, katër kurora te "5Maji" mes katër rrugëve: Bashkia të na kompensojë, ndihemi të braktisur

Katër  familje që jetonin së bashku në rrugën "5 Maji" janë njoftuar për shembjen e banesës së tyre së shpejti si pasojë e planit të rindërtimit për strehimin e banorëve të dëmtuar nga tërmeti.Ora News ishte pranë kësaj familje e cila nga një vile dykatëshe me 7 dhoma të bollshme, tanimë të gjithë së bashku do jetojnë në një shtëpi modeste me qira të cilën po e paguajnë vetë.Fatjoni,  kryefamiljari i njërës prej familjeve tregon për stresin e madh që po përjeton dhe kërkon nga Bashkia marrëveshje bashkëpunimi për kompensimin që i takon.

"Jo 100% por 1000% stres kur sheh që mundin tënd ta rrëzojë shteti."

 Në murin e shtepisë së tij kanë vendosur një x që do shembet.

Ky kryq i kuq i shënjuar në murin e banesës dykatëshe të zotit Fatjon tregon se së shpejti IMT do të veprojë për ekzekutimin e VKM-së për shembjen e saj.

Po 4 kurorat që jetojnë këtu ku do të strehohen?”

Projekti i rindërtimit për strehimin e disa banorëve në rrugën "5 Maji" i ka lënë banorët, shtëpitë e të cilëve do shemben në mes të rrugëve dhe ende nuk ka një shpresë se atyre do tu ofrohet një kontratë-marrëveshje me Bashkinë.

"Të dalin katër kurora dhe të gjejnë nga një shtëpi secili shkon tarifa 1 milion lekë qira në muaj."

Mobiljet i lëvizën nga ambjentet e shtëpisë ku jetuan mbi 30 vite.

"Po nuk i hoqët do t'ju zëmë plaçkat brenda kur ta shembim, thanë."

IMT në çdo moment mund ta shembë atë, por Fatjoni thotë se pa firmosur një kontratë nuk do të lejoj askënd të hedhë poshtë djersën e një jete të tërë ku ai ka investuar.

"Është ngritur me djersë dhe gjak."

Ai ka një thirrje drejtuar Bashkisë.

"Aq sa do të më prishësh, aq dua."

Janë mbi 40 familje që si pasojë e një projekti urban në zone, do tu shemben banesat dhe kërkojnë një urë bashkëpunimi me Bashkinë për kompensimet përkatëse.

Këtë të mërkurë qeveria premtoi se deri në shtator të vitit të ardhshëm të gjitha familjet e prekura nga tërmeti do të bëhen me shtëpi të re, por ndërkohë po krijohet një dramë tjetër sociale për disa familje të tjera që lihen jashtë.