Rrugët e vendit u përgjakën, dita e fundit e tetorit la pas 3 të vdekur dhe 14 të plagosur nga aksidentet
Tre persona humbën jeten dhe të paktën 14 të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e disa aksidenteve të shënuara pasditen e së dielës. Viktimat u shënuan në Krujë, Prrenjas dhe Tepelenë, ndërsa një aksident zinxhir ku u përfshinë 7 makina u shënua në autostradën Tiranë-Durrës.
Rrugët e vendit u përgjakën pasidten e së dielës (31 tetor), duke shkaktuar 3 viktima dhe të paktën 14 të plagosur.
Një këmbësor humbi jetën në aksin Fushë Krujë-Tapizë pasi u përplas nga një makinë drejtuesi i të cilës u largua nga vendngjarja, duke e braktisur në mes të rrugës.
Më herët një aksident me vdekje u shënua në aksin Qafë Thanë -Librazhd, ku një minibus që drejtohej nga një 55-vjeçar u përplas me një furgon pranë vendit të quajtur "Guroja".
Për pasojë humbi jetën drejtuesi i furgonit, i identifikuar si Qani Beqo, rreth 60 vjeç, banues në Prrenjas.
Goditja siç tregojnë pamjet ishte i fortë e për pasojë edhe 4 pasagjerë në minibus mbetën të plagosur.
Policia lokale tha se po punon sqarimin e shkakut të aksidentit në rrugën e Qafë Thanës, e njohur si një prej njollave të zeza të aksit kryesor të lëvizjes drejt Juglindjes.
Ndërkohë në mbrëmje në aksin nacional Tepelenë-Gjirokastër, në afërsi të Urës së Leklit, automjeti tip "BMW", ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar disa metra poshtë rrugës.
Për pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i mjetit, 33-vjeçari Leons Imeri.
Një aksident zinxhir ku u përfshinë 7 makina u shënua në autostradën Tiranë-Durrës.
Ndërkohë katër persona mbetën të plagosur si pasojë e përplasjes së dy makinave në aksin aksin rrugor Shijak-Hardhishtë në Durrës.
3 persona u plagosën në aksin Milot-Rrëshen. Ndërsa dy të tjerë në autostradën Rrogozhinë-Durrës.
As kryeqyteti nuk i ka shpëtuar aksidenteve, ku një person që udhëtonte me biçikletë është përplasur nga një automjet.
Policia rrugore ka forcuat masat dhe ka shtruar kontrollet në rrugë, por shkelja e rregullave të qarkullimit nga shoferët mbetet arsyeja kryesore e aksidenteve.