“Truk” në port për trafik droge, koka e kamionit me 45.5 kg heroinë u ndërrua para nisjes drejt Italisë
Gjykata e Durrësit vendosi të mbajë në qeli biznesmenin Arian Çerma dhe shoferin Olgert Duda, të arrestuar për tentativën e trafikimit drejt Italisë të 45 kg heroinë përmes portit të Durrësit.
Sipas prokurorisë koka e kamionit ku u gjet droga ishte zëvendësuar në Port, por hilja e trafikut u kuptua dhe njëri prej të arrestuarve pësoi gjendje të fikti ku pa policinë.
Biznesmeni i transportit ndërkombëtar Arian Çerma dhe shoferi Olgert Duda, u sollën me pranga në Gjykatën e Durrësit që vendosi t'i mbajë në burg pa afat për tentativën e trafikimit drejt Italisë të 45.5 kilogramëve heroinë.
Ata u vunë në pranga mbrëmjen e 25 tetorit në Portin e Durrësit, pasi në kokën e një kamioni që transportonte krom, policia gjeti sasinë e lëndës së fortë narkotike.
Por biznesmeni dhe shoferi, ashtu si gjatë marrjes në pyetje në Polici, edhe në Gjykatë mohuan dijeninë për drogën.
Por këto deklarime nuk e bindën gjyqtarin Vladimir Skënderi që pranoi kërkesën e Prokurorisë për t'i mbajtur Çermën dhe Dudën në burg pa afat.
Burime nga Prokuroria kanë zbuluar skemën si është tentuar të trafikohej ngarkesa me 45 kg heroinë nga porti i Durrësit në Bari të Italisë.

Sipas hetimit, pas kamioni ka kaluar në skaner dhe ka qenë në pritje për të hipur në traget ata kanë thënë se koka kamionit ishte prishur dhe kanë kërkuar ta ndërrojnë.
Por Ndërkohë policia ka pasur informacion në rrugë operative dhe kanë mbajtur nën vëzhgim çdo lëvizje.
Pasi i është lejuar ndërrimi i kokës së trajlerit policia ka kërkuar të ushtrohej kontroll edhe një herë.
Sapo ka nisur kontrollin policia ka zbuluar pakot me heroinë në tavanin e kokës së kamionit të ngarkuar me krom.
Burimet thanë se në momentin kur u përballën me policinë njërit prej të arrestuarve i ra të fikët.
Policia ka sekuestruar tabulatet telefonike të biznesmenit Arian Çerma dhe shoferit Olgert Duda për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në tentativën e trafikut.
Sasia prej 45.5 kg heroinë dyshohet se ishte e destinuar për tre grupe të ndryshme në Itali, pasi 15 pako me heroinë kishin mbishkrimin 'banane', 7 pako me kryq të bardhë dhe 21 pako të tjera shirit të zi.



