Mbishkrimet mbi pako, heroina e kapur në Durrës dyshohet se ishte porositur nga tre grupe
Sasia prej 45. 54 kilogram heroinë e sekuestruar në Portin e Durrësit kishte si destinacion Italinë dhe dyshohet se pritej atje nga tre grupe të ndryshme kriminale. 15 pako me heroinë kishin mbishkrimin 'banane', 7 pako me kryq të bardhë dhe 21 pako të tjera shirit të zi. Në pranga për tentativën e trafikut përfunduan bizmesmeni Arian Çerma e shoferi Olgert Duda.
Durres- 45.5 kilogramë heroinë e sekuestruar në Portin e Durrësit kishte si destinacion Italinë dhe dyshohet se droga ishte e destinuar për tre grupe të ndryshme kriminale.
Sasia e lëndës së fortë narkotike ishte e ndarë në 43 pako të mbështjella me natriban të cilat u gjetën në kabinën e shoferit në një kamion të ngarkuar me krom, që priste të imbarkohej në tragetin e linjes Durrës-Bari.
Dyshimet janë se lënda e fortë narkotike ishte e destinuar marrës të ndryshëm, pasi pakot kanë shenja identifikuese që bëjnë dallim.
15 pako me heroinë kishin mbishkrimin 'banane', 7 pako me kryq të bardhë dhe 21 pako të tjera shirit të zi.
Policia e Durrësit, thotë kishte informacion për tentativën e trafikut të heroinës, ndaj ka ushtruar kontroll të imtësishëm ndaj kamionit para të se hipte në target, duke zbuluar drogën.
Në kuadër të operacionit “Portëz” në pranga ranë Arian Çerma 45 vjeç nga Durrësi, pronar i kompaninë e transportit “Hensi Trans” me qendër në qytetin bregdetar dhe drejtuesi i kamionit me targë “AA 045 YF” Olgert Duda 36 vjeç, banues në Fier.
Në dëshminë e parë, biznesmeni Çerma dhe shoferi Duda mësohet se kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për drogën brenda mjetit transportues me të cilin udhëtonin.
Por kjo dëshmi, nuk e bind grupin hetimor, i cili tashmë është përqëndruar në zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikun e sasisë së konsideruershme të heroinës në tregun europian të narkotikëve.
Ky është rasti i dytë gjatë këtij viti kur tentohet trafikimi drejt Italisë i sasive të mëdha të drogërave të forta.
Në qershor, 324 kg kokainë u kapën në një kamion që drejtohej nga një shtetas maqedonas i cili u vu në pranga.
Ndërkohë në 8 muaj, janë sekuestruar më shumë se 1 tonë kokainë në tentativë për tu futur në Shqipëri ose në operacione të kontrolluara në bashkëpunim me DEA amerikane.
Rreth 50 kilogram kokainë janë sekuestuar në 5 faza në kontejnerët me banane që vinin nga Ekuadori për llogari të firmës Alba Exotik Fruit, dy administratatorë të së cilës ndodhen në burg dhe pronari Eduard Dauti i lirë në arrati.
