Vrau burrin në tregun e Milotit, Apeli: Vrasja në kushtet e tronditjes psikike. I ul gruas 8 vite burg

Gjykata e Apelit ndryshon cilësimin e veprës penale dhe e dënon përfundimisht me 9 vjet burg gruan e cila tre vite më parë vrau bashkëshortin në tregun e Milotit. Ngjarja e rëndë ndodhi më 17 gusht 2018.
Apeli tha se Violeta Donaj kreu vrasjen në kushtet e tronditjes së fortë psikike.
Sot gjykata e Apelit pranoi kërkesën e gruas për ndryshimin e vendimit penal, përsa i përket cilësimit juridik të veprës penale nga “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” në veprën penale "Vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike" dhe në zbatim te nënit 55 te K.Penal. "Me ndryshimin e veprës penale, dënimi përfundimtar i të pandehurës Violeta Donaj bëhet 9 vjet burg" thuhet në njoftimin e gjykates

Më 9 tetor 2020 Gjykata e Kurbinit e kishte dënuar me 17 vite burg për kryerjen e e veprës penale “Vrasja per shkak te marrëdhënieve familjare”, e parashikuar nga neni 79/c i K.Penal, “ Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit ”, e parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal.
Ngjarja e rëndë, që tronditi banorët e zonës ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit të së dielës, 17 gusht 2018. Çifti Donaj, prindër të dy fëmijëve, frekuentonin çdo fundjavë këtë treg, ku shisnin produkte të ndryshme dhe me të ardhurat e përfituara mbanin familjen.
Pasi ka qëlluar me katër plumba ndaj Kujtim Donaj, 35 vjeçarja pat tentuar të largohet, por u vu në pranga nga uniformat blu. Atëherë në dëshminë e parë që u publikua në media gruaja kishte thënë se bashkëshorti i saj luante bixhioz dhe ishte xheloz , situate kjo që shkaktonte debate në familje dhe që e detyroi atë të kryente krimin.