Çfarë i helmoi 370 qytetarë në Krujë? Rama bëri Gëzuar kur inauguroi Ujësjellësin. Prokuroria nis hetimet
370 qytetarë janë paraqitur për ndihmë në spital që nga e diela (24 tetor 2021) ndërsa paraprakisht dyshohet për helmim nga uji. Prokuroria ka nisur hetimet ndërsa ende nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar helmimin masiv të qytetarëve edhe pse dyshimet paraprake janë se ka qenë pikërisht uji i pijshëm shkak i problemeve shëndetësore tek banorët.
Kruje- "Uji i pijshëm i Krujës 24 orë, Gëzuar! "deklaronte Rama kur inauguroi Ujësjellësin e ri muaj më parë, konkretisht më 27 mars 2021.

Por një foto e mbërritur në redaksi tregon ujin që u shkon në çezma banorëve të Krujës prej fundjavës që lamë pas, fiks 7 muaj pasi ujësjellësi i ri u konsiderua i çertifikuar.
Në harkun e tre ditëve gati 400 persona, mes të cilëve edhe dhjetëra fëmijë, përfunduan në spitalin e qytetit me shenja helmimi.

"Dhimbje barku dhe koke" tregon një paciente.
Nga fëmijë tek të moshuar të gjithë i bashkon përdorimi i ujt të pijshëm nga rrjeti.

Rastet e para te dielen
Qytetarët e parë me simptoma helmimi u paraqitën të dielën por mjekët atje sikurse drejtuesit e ujësjellësit nuk morën masa në kohë.
Më së paku neglizhuan për shkak të së dielës pushim, ose tentuan ta mbajnë të fshehur.
Dyshimet e para janë se kjo situatë ka ardhur nga uji i pijshëm, i cili mendohet te jete bashkuar me ujërat e zeza, por rezultate e analizave ende nuk e kanë konfirmuar dyshimin.
Nëse kjo verfikohet atëherë do të zbulonte një skandal të abuzimit ose cilësisë së dobët ë punimeve të Ujësjellësit të ri.

Reagon ministria
Drejtoresha e Spitalit të Krujës bën me dije se deri në këtë moment nuk ka pacientë në gjendje të rëndë.
"Kjo situatë është nga e diela në mëngjes."
Ministria e Shendetesise thote se ka nisur hetimet
“Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, Instituti i Shëndetit Publik, Operatori Kujdesit Shëndetësor dhe gjithashtu edhe ekspertët tanë janë duke investiguar në të gjitha pistat.
Të gjitha rastet që janë paraqitur janë paraqitur me gastroenterid. Janë marrë të gjitha mostrat dhe analizat laboratorike, janë marrë ato të ujit, janë marrë gjithashtu edhe të ushqimeve. Janë një seri pistash të cilat janë duke u investiguar. Ne do të kemi një rezultat përfundimtar në momentin që do të kemi dhe rezultatin e analizave mikrobiologjike. Në momentin që ne do të kemi rezultatet e analizave përfundimtarë do të kemi një raport të detajuar që do e ndajmë me ju”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Shqetësuese janë dëshmia e të tjerë qytetarëve të cilët pohojnë se që nga nisja e ndërtimti të Ujësjellësit të ri të qytetit, rastet e helmimit janë përsëritur edhe në të paktën dy raste të tjera.
"Që kur filloi Ujësjellësi i ri deri tani u bë tre herë që vijmë në spital për këtë problem."

Politizimi
Por ndërsa qindra banorë po përballen me probleme shëndetësore e mijëra të tjerë me mungesën e ujit të pijshëm çështja nuk i shpëtoi politizimit.
Përfaqësuesit e PD-së akuzuan se tenderat korruptivë po rrezikojnë jetën e njerëzve ndërsa drejtuesit e emëruar të institucioneve tentuan të japin përshtypjen se situata është nën kontroll.
Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen ndërsa edhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka marrë mostrat e ujit për analiza të thelluara.





