Helmimi i 300 qytetarëve në Krujë, reagon Meta: Kërcënim serioz për jetët dhe Sigurinë Kombëtare

Presidenti Ilir Meta po ndjek me shqetësim situatën në Krujë ku mbi 300 persona ndodhen në spital me shenja helmimi.

"Me shqetësim po përcjell helmimin në masë të banorëve të Krujës, një situatë alarmante, që duhet trajtuar me shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore përgjegjëse për shëndetin publik, por edhe nga drejtësia" shkruan presidenti Meta.

Furnizimi me ujë është ndërprerë prej ditës së djeshme.

Meta nxit shërbimet shëndetësore epidemiologjike dhe ato të mjekësisë ligjore të zbardhin sa më parë burim shkakun dhe shkaktarët dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare.

Qytetarëve të helmuar i uron shërim sa më parë dhe tejkalimin pa pasoja të rënda dhe afatgjata, si dhe u shpreh familjeve të tyre të gjithë solidaritetin.

Gjithashtu mbështet dhe përgëzon ekipet mjekësore për kujdesin dhe profesionalizimin e dëshmuar derimë tani.