“Tragjedia e Mekatit” nisi 10 vite më parë, Genci Koreta vrau xhaxhain që e fajësonte për vdekjen e djalit

Debatet për një aksident të rreth 10 viteve më parë në Greqi, ku humbi jetën djali i Jorgji Koretës mund të jetë shkaku i tragjedisë në fshatin Mekat të Vlorës, ku Genci Koreta vrau xhaxhain 64-vjeçar dhe më pas kreu vetëvrasje. Të afërmit e familjes tregojnë se pas ngjarjes fatale në vendin fqinj, 39-vjeçari kaloi në depresion dhe kushëririn e vdekur e kishte pikë të dobët.

Tragjedia e mbrëmjes së të hënës në Mekat të Vlorës, ku 39-vjeçari Genci Koreta vrau me armë xhaxhain, Jorgji Koreta 64-vjeç dhe më pas kreu vetëvrasje, dyshohet se është akti i fundit i një konflikti të heshtur në familje.

10 vite më parë, djali i 64-vjeçarit humbi jetën në Greqi në një aksident ndërsa udhëtonte në makinë me Genci Koretën e prej asaj kohe prindërit e tij mbanin rezerva dhe nën zë mësohet se e fajësonin për vdekjen e të birit.

Siç tregojnë familjarë të tjerë, ngjarja dhe akuzat ndikuan tek i riu duke e çuar drejt depresionit.

Genci Koreta ishte rikthyer në fshatin e lindjes ku ishte përpjekur të kurohet, por duket se nuk kishte shpëtuar kurrë nga barra e kushëririt që i vdiq në krah.

"Këtij xhaxhait i ka vdekur djali i ri, ka 10 vjet".

Jorgji Koreta jetonte në Vlorë dhe mbante lidhje formale me anëtarët e familjes, ndërsa gruaja e tij sipas dëshmive nuk shkontë më në fshat.

Të hënën, xhaxha e nip kishin shkuar për të vjelë ullinjtë, aty ku gjetën të dy të vdekur.

39-vjeçari e kishte qëlluar xhaxhin me armë gjahu në kokë dhe disa metra më tutje i kishte dhënë fund jetës.

Nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë debatuar sërish për plagën e vjetër të aksidentit në Greqi, të cilën 39-vjeçari, siç tregojnë familjarët, nuk e duronte dot kur përmendej.

"Nga puna e djalit të xhaxhait nuk shkoi më në Greqi, nuk shkoj më thoshte. Javë për javë në varreza e shikonim."

Nuk përjashtohet as mundësia që xhaxha e nip të jenë konfliktuar edhe për ndarjen e ullinjve në pronësi të familjes.

Por shkakun e tragjedisë askush nuk di ta thotë.

"Ata që e morën me vete, ata e dinë."