“Ulëm më shpejt varfërinë” Këlliçi: Me cilin satelit e shikon Ahmetaj? Kemi borxhin më të lartë në rajon
Deputeti demokrat, Belind Këllici ka komentuar deklaratat e zv. Kryeministrit Arben Ahmetaj se Shqipëria ka ulur varfërinë më shpejt se vendet e tjera.
Këlliçi pyet në Facebook nëse varfëria është ulur duke marrë borxh dhe me cilin satelit e ka parë Ahmetaj një gjë të tillë.
Ai shton se Shqipëria ka borxhin më të lartë në rajon dhe se nuk ka shtëpi që mbahet me miell hua, pasi borxhi do të lahet nga gjeneratat që do të vijnë.
Këlliçi: Paska thënë Ben Ahmetaj: Shqipëria e ka ulur varfërinë në raport me vendet e tjera me një shpejtësi shumë më të madhe. Ke ulur varfërinë duke marrë borxh???! Është në rregull ky? Nga cili satelit e shikon Shqipërinë? Me çfarë fluturon Beni? Shqipëria ka borxhin më të lartë në rajon. Ky është fakt. Sikurse është e ditur se nuk ka shtëpi që mbahet me miell hua. Këtë borxh do e lajnë gjeneratat që vijnë pas; të rinjtë dhe të rejat shqiptarë. Prandaj deklarata e tij, se "rinia nuk do të largohet më në 10 vitet e ardhshme", është një tallje ndaj të rinjve dhe prindërve të tyre. Më shumë se kushdo, këtë tallje e vuajnë në kurriz ata 500.000 shqiptarë që lanë vendin e tyre këto 8 vite.
