“Jemi në alarm kombëtar”, Hajdaramataj: Dhuna ndaj grave po rritet, ligji duhet të ashpërsohet
Drejtuesja ekzekutive tek qendra e grave në shërbimin publik Mimoza Hajdarmataj, është shprehur se dhuna ndaj grave dhe vajzave në vendin tonë është rritur.
Në një intervistë për Ora News, Hajdarmataj, tha se ne të gjithë si shoqëri duhet të ndihemi fajtorë për atë që u ndodh grave dhe vajzave në vendin tonë.
Mimoza Hajdaramataj: Jemi një shoqëri që s’jemi aspak krenare përsa i përket trajtimit që i bëhet grave. Nuk e di nëse është një problem social i trashëguar ndër vite apo është një problem që është krijuar së fundmi, lidhur dhe me problemet ekonomike që ka vendi ynë, me migrimin e shumtë, por them që jemi shoqëri që duhet të ndjehemi fajtore me atë që po u ndodh grave dhe vajzave. Statistikat janë gjithnjë e në rritje.
Ajo shprehet se dhuna është akt i rëndë ndërsa shton se ligji duhet të ashpërsohet, në lidhje me këtë fenomen.
Më tej shtoi se jemi në një alarm kombëtar dhe të gjithë duhet të ngremë zërin kundër dhunës.

Mimoza Hajdaramataj: Duhet të ishim në ato nivele që promovojmë edukimin fuqizimin e tyre, ngjitjen në nivelet vendimarrëse, të jenë ato që drejtojnë politikat në shoqëri. Të gjithë jemi nga pak fajtorë. Kemi çeduar që prej strukturave të shtetit. Duhet të shtrëngohet i gjithë ligji për të kuptuar që është një akt i rëndë penal. Jemi në një alarm kombëtar që të gjithë duhet ta ngremë zërin dhe të gjithë duhet të angazhohemi.
Intervistoi Sonila Musai, përgatiti për online Anila Kolgjini.

