Dhunë nga vjehrra dhe qendra sociale, 36-vjeçarja e keqtrajtuar tregon se shteti e la në rrugë

Është 36 vjeçe, tashmë e divorcuar është. Është bërë nënë për herë të parë kur ishte 20 vjeç dhe tani ka katër fëmijë ku më i vogli është nëntë vjeç.

Ka pranuar të ndajë historinë e saj me Ora News me shpresën se dikush mund ti bëhet krah pas asaj që ka kaluar.

Prej kohësh është dhunuar sistematikisht nga ish-vjehrra e saj, madje edhe në sy të fëmijëve të mitur.

"Në mungesë të bashkëshortit tim jetoja me vjehrrën dhe dita-ditës kishte presion dhe dhunë si ndaj meje dhe fëmijëve. Dhunë fizike dhe psikologjike, por më e shumta psikologjike."

Edhe pse vendosi të largohet nga keqtrajtimi ende i ka traumat.

Tregon se ndihmën e shtetit nuk e ka parë. Madje të vetmen herë që është asistuar nga qendra e trajtimit të kësaj kategorie në Kamëz thotë se u dhunua sërisht. Këtë herë psikologjikisht.

"Kam qëndruar në një qendër rehabilitimi. Aty ka qenë akoma më e rëndë, ka pasur mospëlqime nga të dyja palët. Te qendra kam pasur ankesa për fëmijët, unë kam pasur ankesa se kanë bërë presion ndaj meje dhe fëmijëve që të dilja. Kanë bërë ankesa në zyrat përkatëse. Kam qenë te qendra e dhunës që është për gratë, kryesorja që e mbështet shteti në Kamzë."

Psikologët e njohin mirë këtë shqetësim, madje kërkojnë që institucionet ta kenë në monitorim rastin edhe pas denoncimit.

"Përderisa ne nuk kemi një program për këto gra të dhunuara që nga momenti i parë që ato bëjnë një denoncim. Normalisht që ne do të kemi problematika dhe më të mëdha jo vetëm te dhuna por edhe mirërritja e fëmijës, arsimimi i fëmijëve dhe probleme të tjera që hasim çdo ditë në shoqërinë tonë."

36-vjeçarja e ndjen veten të humbur në një vend ku nuk ka më as një mbështetje, madje as familjen.

"Prej bashkëshortit që kam marrë vetë, nuk kam më asnjë përkrahje. Pak kohë kam që humbur babanë. Isha në ceremoninë mortore".

Me të ardhurat që ajo siguron nuk plotëson as kushtet minimale të jetës ndaj dhe apelon për ndihmë.