Krujë, 35 persona paraqiten në spital me shenja helmimi, dyshohet nga uji

35 persona nga Kruja janë paraqitur në spital me shenja helmimi.  Qytetarët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë lënë të lirë në shtëpi ndërsa ende nuk dihen shkaqet e helmimit të tyre. Paraprakisht burimet bëjmë me dije se shkak i helmimit masiv dyshohet të jetë bërë uji i pijshëm. Organet kompetente kanë marrë tanimë analizat e ujit, ndërsa në orët në vijim pritet të saktësohet se çfarë e ka shkaktuar helmimin e qytetarëve.

Të paktën 35 persona janë paraqitur dy ditët e fundit në spitalin e Krujës me shenja helmimi.

Paraprakisht burimet bëjmë me dije se shkak i helmimit masiv dyshohet të jetë bërë uji i pijshëm.

Vetë pacientët kanë treguar se kanë filluar të ndjehen keq pasi kanë konsumuar ujin që vjen nga çezmat e tyre.

Fatmirësisht të gjithë personat e helmuar pasi kanë marrë mjekimin e nevojshëm, kanë lënë ambientet e spitalit pa pasur komplikime të mëtejshme.

Organet kompetente kanë marrë tanimë analizat e ujit, ndërsa në orët në vijim pritet të saktësohet se çfarë e ka shkaktuar helmimin e tyre.

Lidhur me ngjarjen policia bën me dije se ka nisur edhe një hetim.

Në deklaratën për media, policia nënvizon se ka qenë ajo që ka njoftuar organet e shëndetit publik dhe të AKU-së, për të sqaruar këtë situatë.

Ndërkohë vetë banorët e Krujës thonë se kanë filluar të konsumojnë vetëm ujë të ambalazhuar nga frika e helmimit.

Njoftimi i policisë

Policia e Krujës, pas marrjes së njoftimit mesditën e sotme, nga urgjenca e Spitalit të Krujës, se dy ditët e fundit kanë shkuar për ndihmë mjekësore, rreth 35 shtetas, të cilët dyshohet se janë helmuar, menjëherë ka ngritur grupin hetimor, i cili ka shkuar në spitalin e Krujës dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e shkakut.

Nga ana e Policisë janë njoftuar organet e shëndetit publik dhe të AKU-së, për të sqaruar këtë situatë. Priten analizat nga DSHP Krujë dhe Tiranë.

Grupi hetimor po kryen të gjitha veprimet procedurale, me qëllim zbardhjen e shkakut dhe sqarimin e rrethanave të këtyre rasteve.