Bashkia “harron” punimet për riparimin e rrugëve të kryeqytetit, qytetarët: Po mbytemi nga pluhuri
Punimet e lëna përgjysmë në disa rrugë dhe sheshe të kryeqytetit janë kthyer në shqetësim serioz për qytetarët. E tillë është situata në rrugën "Hoxha Tasim" dhe në zonën e "Freskut" ku bashkia prej javësh e muajsh ka gërryer segmente e cilësuara problematike por punimet janë zgjatu e pezulluar duke krijuar ndotje nga pluhuri dhe radhë të gjata në trafik.
Punimet e lëna përgjysmë për riparimin e rrugës "Hoxha Tasim" i kanë detyruar bizneset të veprojnë në këtë formë përballë pluhurit që krijohet në zone.
Qytetarët shprehen të shqetësuar për neglizhencën e bashkisë së Tiranës për përfundimin e rikonstruksionit.
Tabela informuese për fillimin e mbarimin e punimeve mungon, ndaj dhe qytetarët janë të paqartë se kur do t'i jepet fund qarkullimit në këtë rrugë të gërryer.
"Derisa arritën e gërryen pse nuk po e riparojnë?"
Qarkullimi në këtë segment rrugor është i vështirë, jo vetëm për shoferët por edhe për personat që lëvizin me biçiklete.
"Me biçikletë është e vështirë, nuk ecet."
"Duam që të mbarohet para Vitit të Ri."
"Ka pluhur, vetëm se i hedhin ujë se po mos t'i hedhin këtu nuk kalon dot, mbytesh."
E njëjta situatë është dhe në zonën e Freskut.
Rruga ka më shumë se 3 javë që është gërryer dhe askush më pas nuk ka vënë dorë mbi të.
Qytetarët thonë se Bashkia duhet të përfundojë punimet e nisura, pasi veç ndotjes në orët e para të mëngjesit krijohet dhe trafik.




