"Kuvendi do të mblidhet!" Noka: Ja çfarë i kërkuam sot Bashës, unë, Tomor Alizoti dhe deputetë të tjerë

Edhe mbledhja e sotme e grupit parlamentar të PD ka kaluar me debate mes deputetëve mjbështetës të Foltores dhe kreut të PD-së, Basha.

Flamur Noka në një prononcim për mediat tha se ai së bashku me Tomor Alizotin dhe deputetë të tjerë i kërkuan Bashës zgjidhje për krizën që po kalon PD.

Noka: Sigurisht që ajo që ndodhi sot në mbledhje ishte tendeca për të vazhduar diskutimet për programin e punës ndërkohë që PD është në një krizë të thellë.Ju kërkua nga unë dhe zoti Alizoti që të kuptohet që kjo parti është në krizë të thellë, ka nevojë për zgjidhje dhe askush në këtë parti nuk mund të fshihet dhe të bëjë sikur nuk po ndodh gjë.Kërkohet zgjidhje për këtë parti dhe zgjidhja është përtej karriges së kryetarit dhe çdokujt. Kjo është ajo që ju kërkua nga Tomor Alizoti, unë dhe deputetë të tjerë.

Kur do ta thërrasë Berisha Kuvendin e PD?

Noka: Berisha e ka bërë me dije se shumë shpejt do të mblidhemi për të vendosur për datën. E rëndësishme është që Kuvendi do të mblidhet, siç ju bë me dije sot dhe zotit Basha, për të kthyer ligjshmërinë, për të diskutuar statutin, për ti dhënë zgjidhje, frymëmarrje dhe forcë PD.

Strukturë paralele?

Noka: Është Kuvendi i PD, as i zotit Basha, as i zotit Noka dhe askujt tjetër. Kuvendi është i PD dhe do të mblidhet dhe askush nuk ka forcë ta ndalojë mbledhjen e Kuvendit përveç sovranit që janë delegatët, të cilët kanë firmosur.