Informaliteti i tregut të veshjeve, shitjet online bëjnë “kërdinë”, kosto për shtetin dhe konsumatorët

Një pjesë e tregut të veshjeve në Shqipëri vijon të jetë informal. Fenomeni tashmë ka gjetur përhapje edhe përmes rrjeteve sociale, duke shkaktuar kosto të rënda për shtetin por edhe konsumatorët.

Tregu i zi dhe informaliteti kanë një kosto për çdo konsumator, i cili mendon se del i fituar kur blen më lirë.

Por nuk është gjithmonë kështu, sidomos për tregun e veshjeve.

Raste tipike janë ato që ndodhin me shitjen e markave më të njohura në tregun shqiptar, ku dyqanet në fjalë, janë magazina apo dyqane lagjesh, dhe nuk mbajnë markën e autorizuar nga kompania mëmë, është e qartë se po blini një veshje të falsifikuar. Ky fenomen shfaq disa problematika.

Këto dyqane fantazma, bëjnë që së pari furnizuesit e pa autorizuar ta tregtojnë këtë mall në tregun shqiptar në formë të paligjshme nga Greqia, apo dhe vende të tjera.

Tregjet më problematike janë konstatuar së jane dyqane të vogla ose magazina qe ndodhen në periferi ose në zona rurale të cilat furnizojnë me brande të njohura dyqane të vogla fizike në zona të ndryshme të qytetit.

Përveçse e tregtojnë këtë mall në treg kontrabandë, duke shmangur taksat e shtetit, shumica e shitësve online në Instagram kanë aktivitete të paregjistruara në organet tatimore, që nuk ofrojnë shërbim klienti, nuk ofrojnë asnjë garanci për produktin, dhe nuk pranojnë ndërrime apo kthime të mallit, pasi është një sektor i gjithi i paformalizuar, gjë që dëmton subjektet që janë tatim pagues të rregullta dhe punëdhënës shumë më të mëdhenj se këto subjekte që i dëmtojnë me konkurrencën e tyre të pandershme.

Ajo që është edhe më absurde, është që këto këto faqe/biznese jo formale në Instagram, gjatë vitit 2020-2021 janë evidentuar të reklamojnë edhe në televizione të rëndësishme kombëtare.

A duhet të promovohet tregtia joformale në vendin tonë? Ku është Shoqata Për Mbrojtjen e Sipërmarrjeve në këtë rast?

Ka me qindra faqe në Instagram që vazhdojnë të bëjnë qetësisht biznes në informalitet të plotë.

Po flasim për produkte që përgjithësisht janë imitime të rreme dhe të paautorizuara nga prodhuesit origjinalë, dhe për pasojë s’mund të ofrojnë as cilësi dhe as garanci.

Edhe sa kohë duhet ta vuajmë plagën e informalitetit?