Soreca takon ministren e Financave: Fokus i lartë në veprimet kundër pastrimit të parave

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca ditën e sotme ka zhvilluar një takim me ministren e Financave, Delina Ibrahimaj. Në një postim në Twitter Soreca ka zbardhur detaje nga takimi dhe shkruan se Shqipëria po tregon shenjat e para të rimëkëmbjes ekonomike.

Ndërsa ministres i kërkoi që të dyfishojë përpjekjet për të çuar përpara reformat dhe për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri. Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe lufta kundër pastrimit të parave, sipas asaj që shkruan Soreca.

“Takimi i parë zyrtar sot me ministren e sapoemëruar të Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj. Ndërsa Shqipëria po tregon shenjat e para të rimëkëmbjes, është thelbësore të dyfishohen përpjekjet për të çuar përpara agjendën e reformave dhe për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.

Inkurajova ministren të ketë fokus të lartë në veprimet kundër pastrimit të parave, prioritet vendimtar në procesin e pranimit në BE. Thelbësore të përmbushen angazhimet për ndihmën makro-financiare prej 180 milion eurosh dhe për të luajtur plotësisht rolin kryesor të Ministrisë në mbështetjen buxhetore dhe koordinimin e donatorëve," shkruan Soreca në Twitter./OraNews/