Shqipëria nënshkruan paktin universal për fëmijët, sociologu: Jemi në pikën 0 në aspektin edukativ të tyre
Shqipëria ka nënshkruar paktin global të edukimit, një iniciativë e papa Françeskut. Pandemia thelloi hendekun alarmues që lidhet me edukimin e fëmijëve në aktivitete arsimore, duke krijuar një katastrofë edukative, madje 10 milionë fëmijë në botë kanë lënë shkollën. Për sociologun, Gjergj Sinani, Shqipëria është në pikën zero përsa i përket edukimit të fëmijëve dhe nevojitet ndërhyrje jo vetëm institucionale por dhe individuale.
Pandemia thelloi hendekun alarmues që lidhet me edukimin e fëmijëve në aktivitete arsimore, duke krijuar një katastrofë edukative.
Nga agjencitë ndërkombëtare raportohet se rreth 10 milion fëmijë në botë mund të jenë detyruar të lënë shkollën për shkak të krizës që goditi shumë sektorë. Për të reaguar përballë kësaj sfide është ndërmarrë një iniciativë globale.
Në Shqipëri u organizua një takim i posaçëm për të nënshkruar paktin global të edukimit, nismë kjo e papa Françeskut.
"Të gjithë jemi të interesuar të krijojmë një ambient që favorizon edukimin e fëmijëve tanë," tha imzot Frendo.
Sociologu, Gjergj Sinani, thotë se Shqipëria është në pikën zero përsa i përket edukimit të fëmijëve dhe nevojitet ndërhyrje jo vetëm institucionale por dhe individuale.
"Jemi zero, edukimi sot në demokraci duhet të ndërtojë qytetarë të mirë. Kjo nuk arrihet vetëm përmes shkollës, sigurisht që ajo ka rëndësi kjo arrihet edhe përmes të gjitha mjeteve të informimit masiv, sidomos televizionit dhe mjetet të cilat sot kanë marrë një përhapje të gjerë," tha Sinani.
Beteja është që shkolla të jetë jo vetëm vend edukimi,por dhe institucioni ku do të formohen fëmijët.
"Edukimi i nxënësve dhe i fëmijëve tanë me principet më të larta të moralit tonë, që do të thotë që ne të gjithë së bashku duhet të jemi të angazhuar dhe bashkëpunëtorët më të mirë për ta bërë të mundur këtë qëllim," u shpreh zëvendës ministrja e Arsimit, Nina Gugo.
Zëvendësministri i Shëndetësisë dhe Punëve Sociale Nikolla shprehet se gjatë 5 viteve të ardhshme pritet të implementohet një draft i hartuar me në qendër edukimin e pakicave rome e egjiptiane.
"Pakicat rome dhe egjiptiane që janë mjerisht më të përjashtuarit në shoqërinë shqiptare dhe kundrejt të cilëve mjerisht duhet ta themi dhe jo pa ndjesi turpi ka dhe një ndjenjë racizmi ndaj tyre që duhet ta tejkalojmë me çdo kusht nga pikëpamja kulturore."
Nga ana e saj, koordinatorja e Paktit Edukativ Global, Teuta Buka, nënvizon se sfidë mbetet krijimi i një bote vëllazërore për individin.
Në Shqipëri vetëm në sezonin e ri në bankat e shkollave dhe universiteteve u shënua një rënie prej 23 mijë nxënësish
/OraNews/







