Basha: Nuk ka pazare me Edi Ramën për vettingun e politikanëve

Kryedemokrati Lulzim Basha, ka mohuar pretendimin se Vetingu i politikanëve është kushti i PD për socialistët, me qëllim votimin në Kuvend pro zgjatjes së afateve për organet e drejtësisë.

Në një deklaratë për mediat Basha tha se për këtë nismë as nuk bëjnë pazare me Edi Ramën dhe as nuk futen në pazare.

Sipas Bashës, vettingu i politikanëve është i domosdoshëm për të ndarë politikën nga lidhjet me krimin e organizuar, dhe pasuritë e pajustifikueshme.

Pyetje: A është vettingu i politikanëve kërkesa që demokratët kanë vendosur si kusht për të plotësuar ndaj socialistëve për zgjatjen e afatit për çështjen e vettingut?

Lulzim Basha: Nuk bëjmë pazar dhe nuk futemi për pazar, këto janë çështje të rëndësishme për shqiptarët. Rikthimi i institucionit të votës së lirë pa të cilën nuk ka demokraci, mirëqenie, por ka emigracion, varfëri, është çështje e shqiptarëve jo e PD dhe nuk mund të jetë çështje pazari. Vetingu i politikanëve do të thotë pastrimi i politikës nga persona që kanë lidhje me krimin e organizuar, apo janë të korruptuar është çështje e shqiptarëve, reforma territoriale është çështje e shqiptarëve jo thjesht e PD-së.

Për këtë arsye do çojmë përpara axhendën tonë të ndryshimeve që u shërbejnë shqiptarëve. Kthimi i ndryshimeve të njëanshme të 30 korrikut është një hap i kësaj paketë, sikundër komisioni zgjedhor që do të formohet pas depozitimit të kërkesës tonë ka për detyrë që në konsultim me shqiptarët të shtrojë rrugën përpara për gjithë çështjet e tjera që kanë të bëjnë edhe me sistemin zgjedhor.