Amendamenti për shlyerjen e Vettingut, Kola: Rama harron që organet e vettingut i zgjedh parlamenti
Socialistët kanë dorëzuar zyrtarisht në Kuvend amendamentin për të shtyrë afatin e Vettingut deri në dhjetor të vitit 2024. Kryeministri Edi Rama tha se reforma në drejtësi duhet të çohet përpara dhe kush do që rreshtohet kundër është edhe kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këtë e ka komentuar analisti Vehap Kola, në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Beti Njuma.
Kola shprehet se organet e Vettingut nuk janë zgjedhur nga SHBA por nga Parlamenti, teksa shton se ky i fundit do jetë ai që do të votojë.
Vehap Kola: Është një vendim politik. Rama nuk do të negociojë. Organet e Vettingut nuk i kanë zgjedhur SHBA por i ka zgjedhur Parlamenti. Në atë kohë këta i zgjodhën bashkë me LSI, sepse PD nuk i votoi. Do të jetë parlamenti edhe tani që do të votojë. Nuk e di nëse mund të zgjidhet një komision Vettingun, por zgjatja e këtij mandati të këtij komisioni sigurisht që duhet të kalojë jo thjesht në një Pazar, por duhet të kalojë me rishikimin e kompetencave të tij. Pjesa tjetër e Vettingut duhet të shkojë dhe të bëhet me afate kushtetuese.
Më tej thotë se Kryeministrit Edi Rama i intereson që një pjesë e opozitës të jetë kundër SHBA.
Vehap Kola: Kryeministri është i interesuar, sidomos pas vendimit të Bashës për Berishën, që opozita të marrë një qëndrim anti-amerikan. Duke kërcënuar me nofkën anti-amerikan, ta shtyjë drejt një votimi të verbër.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.
