Berisha për përjashtimin e Nokës: Po bëjmë figurë të keqe, veprimet e Bashës të bashkërenduara me Ramën
Ish-Kryeministri Sali Berisha nga ‘Foltorja’ në Korçë ka komentuar përjashtimin e deputetit Flamur Noka nga Grupi Parlamentar i PD, vendim i cili u mor nga Lulzim Basha.
Në fjalën e tij Berisha është shprehur se në këtë periudhë PD po bën figurë të keqe, teksa shton se s'kemi tolerancë të fjalës.
Më tej Berisha shton se Lulzim Basha nuk mund të marrë pushtetin e forumeve të tjera.
Sali Berisha: Ne në këtë periudhë po bëjmë një figurë shumë të keqe. Nuk kemi tolerancë për fjalën. Kryetari merr përjashton deputetin nga funksionet se tha se është shprehur në këtë mënyrë në mbledhje. Kryetari s’mund të marrë kurrë pushtetin e forumeve të tjera. Kryetari s’mund të ja marrë kurrë pushtetin grupit paralamentar e as Kuvendit Kombëtar. Statuti do parashikojë shkarkimin automatik të tij dhe kalimin e kompetencave te sekretari i përgjithshëm.
Ish-Kryeministri, shprehet se veprimet e Bashës janë të bashkërenduara me atë të Kryeministrit Rama. Berisha shprehet se nuk vijmë në pushtet nëse s’jemi parti sovrane dhe nëse vendimet për ne i merr dikush tjetër.
Sali Berisha: Në situatë aktuale viktimë e tmerrshme e këtyre qëndrimeve, të gjitha të bashkërenduara me Edi Ramën, viktimë është pluralizmi politik ajo që ne themeluam në vitin 1990. Nuk ka pluralizëm kur një parti që është shtyllë kryesore e pluralizimit që nuk respekton forumet, statutet votën tuaj. Pikërisht se ne kemi humbur këtë lidhje me ju, ish-Kryetari nuk vjen dot tek ju. Duhet të kemi një parti sovrane. Nuk vijmë në pushtet nëse s’jemi parti sovrane, nëse vendimet për ne i merr dikush tjetër.

