Berisha: Me Ramën kryeministër rrezikojmë përfundimisht integrimin në BE, përgjegjësi edhe pupël-opozitës

Ish-kryeministri, Sali Berisha, duke folur në Korçë deklaroi se Shqipëria rrezikon ti mbyllen dyert e BE përgjithmonë me Ramën kryeministër.

Berisha tha se Ballkani i Hapur sjell vendosjen e hegjemonisë së plotë të Serbisë në këto zona.

Berisha: Kemi bërë regres të madh në këto 8 vite. Nga kjo qeverisje Shqipëria u shndërrua në delen e zezë të Ballkanit të dhe Europës. Në Shqipëri u ndërtua narkoshteti i parë në Europë. Nëse do të jetë ky kryeministër po ecim drejt bllokimit përfundimtar të integrimit të Shqipërisë në BE. E them me bindjen më të thellë sepse gangsterët Ballkanit krijuan projektin e tyre, minishengenin.

E krijoi Vuçiç sepse e di që për atë dyert e Europës janë të mbyllura sepse ai është një kryeministër doktrinar i gjenocidit, është i regjistruar duke deklaruar se për çdo serb duhet të vriten 100 myslimanë. A e di dhe përpiqet të marrë rol lideri në Ballkan. Gjen dy vasalë, Edi Ramën dhe Zaevin dhe krijojnë një nismë që i kundërvihet terësisht nismës së Berlinit. Çfarë ndodhi në Lubjanë, nga kandidatë na kaluan në partnerë, partner mund të jetë dhe Uzbekistani.

Nëse nuk ndërgjegjësohemi për këtë do mbetemi ndoshta përfundimisht jashtë rrugës europiane. Ballkani i Hapur sjell vendosjen e hegjemonisë së plotë të Serbisë në këto zona. Katër liritë askush nuk i zbaton më shumë se BE por kur vjen puna për shkëmbimet ekonomike i ka me kuota, asnjë vendi të BE nuk i dëmtohet bujqësia. Imagjinoni të vërshojnë prodhimet e Shumardisë në Korçë e Tiranë çfarë u mbetet fermerëve të Korçës kur ata kanë subvencionuar dhjetëra herë më shumë se Shqipëria për bujqësinë.

Përgjegjësi për këtë situatë ka edhe opozita, tha Berisha.

Berisha: Ne kundërshtuam pa sukses, në mossuksesin tonë qëndron dhe përgjegjësia jonë. Nëse do ishte një opozitë e fortë dhe jo pupël opozitë Edi Rama nuk do mund të bënte kurrë këto që ka bërë.Të rinjtë ikin se nuk kanë besim as te ai dhe as te ne. PD këto vite për fat të keq kontraktoi një borxh të madh ndaj shqiptarëve.Në 25 prill 2021, diferenca në vota mes PS dhe PD është qartësisht më e madhe se në 1997.

E për pafuqinë e opozitës ai përgjegjësinë e gjen edhe te vetja.

Berisha: A ka përgjegjësi Sali Berisha? Më shumë se gjithë ju, së pari e njoh më shumë fushatën elektorale, thelbin e opozitarizmit. Pse unë kam toleruar, dhe u kërkoj ndjesën më të sinqertë, ka patur vetëm një shkak, betimin tim që kurrë të mos kthehem.U zotova para jush se largohem pa kthim.