Vendimi i Venecias për 30 qershorin, Vasili: S'dua të besoj që është viktimë e një lobimi
Një ditë më parë, në draft-raportin lidhur me kërkesën e Kushtetueses për 30 qershorin, Komisioni i Venecias deklaronte se kjo Gjykatë nuk ka kompetenca për të shqyrtuar pavlefshëmeirnë e zgjedhjeve lokale.
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News, me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se nuk kemi të bëjmë me çështjen e integritetit të zgjedhjeve pasi sipas tij është e qartë që zgjedhjet janë dhe mbeten moniste.
Vasili tha se "nuk dua ta besoj që Komisioni i Venecias ka rënë viktimë e një lobimi të caktuar", pasi sipas tij nuk ka asnjë instrument që i legjitimon këto zgjedhje.
Vasili: "Nuk dua të besoj që Komisioni i Venecias të ketë rënë kaq keq viktimë e një lobimi të caktuar. Ç'mund të mendoj tjetër kur Komisioni i Venecias thotë të kundërtën e asaj që ka thënë 2 vjet më parë për të njëjtën çështje. Në raportin e mëparshëm Venecia thotë qartë se asnjë nga palët e interesuara ( PS ishte palë e interesuar) nuk është ankuar as në Kolegj Zgjedhor, as në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje. Ky problem mbyllët këtu për mendimin tim dhe ky kontradiksion është kaq i qartë sa që në fund të fundit nuk kemi të bëjmë me çështjen e integritetit të zgjedhjeve të 2019, zgjedhjet janë dhe mbeten moniste. Janë të refuzuar nga mbi 85% e popullatës shqiptare, ishin zgjedhje me një kandidat dhe ishin një turp i padëgjuar. Nuk ka asnjë instrument që i legjitimon këto zgjedhje."
Reforma në drejtësi
Përsa i përket reformës në drejtësi, Vasili tha se për fat të keq reforma ka prodhuar vetëm një drejtësi e cila ndodhet në kolaps.
Vasili: "Reforma në drejtësi e cila është fakt që ka krijuar të kundërtën e asaj që ishin pritshmëritë e veta dhe ka nevojë për një skaner objektiv, të ftohtë e të paanshëm. Reforma në drejtësi, për fat të keq dhe për zhgënjimin e madh të gjithë shqiptarëve ka prodhuar një drejtësi që është në kolaps. Sot kemi hyrë në vitin e 6-të të reformës ku sipas të gjitha parashikimeve kushtetuese, nuk kemi asnjë institucion të vetëm i cili të jetë plotësuar totalisht me numrin që Kushtetuta dhe Ligji parashikon. Nuk po flas për shkatërrimin që po përjetojnë Gjykatat e të gjitha niveleve. Një sistem i tillë, qoftë hetimi qoftë gjykimi ndodhet në kolaps dhe kemi një veting për të cilin ka vërejtje shumë të rënda nga Komiteti Kombëtar i Helsinkit dhe provojnë që 63% e shqiptarëve nuk e besojnë vetingun. Këta që kërkojnë vetingun, Rilindja, nuk ka asnjë qëllim në kokë, ka vetëm që të konsolidojë kapjen e drejtësisë sepse drejtësia për shkak se është e kapur flet për cironka, për një tender kanali në Lushnje por nuk flet për Teatrin, nuk flet për inceneratorët, as për çështjen Beccheti. Vetingu këkron një skaner sepse reforma ka krijuar zhgënjim. "
Sipas zotit Vasili të gjithë shqiptarët duhet të ishin ngritur në këmbë për çështjen Beccheti sepse e di gjithë bota që i mori Shqipërisë 120 milionë lekë.
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku