Vrasja e Bahri Tafilit dhe Zylyftarit, çon në SPAK, Koçiun, tregon sherrin me oficerët në Shkodër
Sokol Koçiu, ish-oficeri i Prokurorisë së Përgjithshme është marrë në pyetje nga prokuroria e Posaçme SPAK.
Intervistimi i tij është realizuar nga një grup hetimor që është duke zhvilluar hetime lidhur me ngjarjen e rëndë, 2 gushtit 2000, ku mbeti i vrarë Bahri Tafili, babai i Admir Tafilit dhe Drejtori i Qarkut Shkodër, Arben Zylyftari.
Koçiu në periudhën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë oficer i policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme dhe është ngarkuar të jetë pjesë e këtij hetimi, për të zbardhur rrethanat e ndodhjes së ngjarjes, ku mbetën të vrarë dy persona.
Por për shkak se Sokol Koçiu, ka kundërshtuar veprimet hetimore të kryera për këtë ngjarje nga ekspertët e krimeve në Shkodër, duke mos pranuar versionin e tyre, ai ka pasur dhe një debat verbal me kolegët e tij oficerë.
Ky debat i bërë nga Sokol Koçiu në atë kohë është përmendur dhe në dëshminë e Admir Tafilit të dënuarit me burgim të përjetshëm, që dy muaj më parë është pyetur nga SPAK-u për këtë ngjarje.
Evidentimi i këtij detaji dhe përplasje mes oficerëve të policisë nga Tafili, ka çuar Sokol Koçiun sot në godinën e SPAK për të dhënë deklarim.
Ish-oficeri është marrë në pyetje paraditen e sotme ku ka treguar rrethanat e hetimit të kryer në atë periudhë dhe debatin që ka pasur me oficerët e krimeve në Drejtorinë e Qarkut të Shkodrës.
Vrasja e Arben Zylyftarit, solli reagimin e shtetit në atë periudhë duke bërë arrestimin e Admir dhe Genci Tafilit. Ndërsa për vrasjen e babait të tyre, Bahri Tafili, dy djemtë e arrestuar kanë akuzuar gjithmonë ish-shefin e Krimeve në Shkodër, Prelë Pjetrushi, duke bërë që mes dy familjeve Shkodrane të lindë një hasmëri e shoqëruar me një seri atentatesh për gjakmarrje.
Historia e konflikteve ndërmjet familjes Tafili dhe ish-shefit të krimeve në Shkodër Prelë Pjetrushi nisi më 2 gusht të vitit 2000, kur policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit.
Ky i fundit, peshkatar në zonë, ishte një ndër personat më të kërkuar në atë kohë për vrasjen e shtetasit, Skënder Geci. Gjatë operacionit të organizuar nga policia e Shkodrës pati shkëmbim zjarri mes palëve.
Për pasojë, mbeti i vrarë drejtori i Policisë Arben Zylyftari, si dhe vetë i kërkuari Bahri Tafili. Familja Tafili, gjatë gjithë këtyre viteve ka pretenduar se drejtori Arben Zylyftari, u vra nga dora e Prelë Pjetrushit dhe jo nga armët e Tafilajve.
Kimete Tafili, bashkëshortja e Bahri Tafilit, në vitin 2010 është shprehur se i shoqi është vrarë pasi u dorëzua dhe i prangosur nga Prelë Pjetrushi dhe se autorët e vërtetë të vrasjes së Arben Zylyftarit, janë të lirë.
Deklarata e saj u bë pasi njëri nga djemtë e saj, Admiri, i cili mori disa orë leje nga burgu i Shënkollit për të parë të ëmën që e kishte të sëmurë, u arratis. Një muaj më pas, në mars të vitit 2011, Admir Tafili, ekzekutoi dy vëllezërit e Prelë Pjetrushit.

