Dy vite në çadra/ Protestë në Kurbin: Kryebashkiakja në drejtim të paditur, të na japin bonusin e qirasë
Gati dy vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, disa familje në Kurbin ende jetojnë në çadra. Ndaj këtë të premte ata u ngritën në protestë për vonesat me rindërtimin dhe bonusit të qirasë. Për mungesën e parave zyrtarët e Bashkisë e çuan përgjegjësinë tek Ministria e Financave, ndërsa për shtëpitë e reja, banorët duhet të presin vitin tjetër.
Mosnisja e rindërtimit të shtëpive individuale dhe vonesat me bonusin e qirasë, ngritën në protestë disa familje nga Kurbini të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Ata u mblodhen para Bashkise së Kurbinit dhe thonë se po kërkojnë prej 6 muajsh kërkojnë sqarime nga drejtuesit vendorë, të cilët u kanë mbyllur derën.
"Jemi të pastrehë, të dëmtuar nga tërmeti, nuk kemi asnjë takim dhe asnjë kontakt me ta. Sa herë vijmë këtu, kryetarja është larguar në drejtim të paditur dhe asnjëherë nuk po e gjejmë se kur do të kthehet në drejtim të ditur. Kemi 6 muaj."
"Jo do merret sot, jo nesër, jo nuk ka fonde."
"Përditë vij këtu te këto vajzat dhe thonë nuk është."
Banorët, një pjesë e të cilëve jetojnë ende në çadra thonë se nuk kanë asnjë informacion se kur do të nisë ndërtimi i shtëpive, ndërsa vonesat me bonusin e qirasë u kanë vështirësuar jetën edhe më shumë.
"Bonusin e qirasë nuk na e kanë dhënë, ndihmën ekonomike nuk na e kanë dhënë, asnjë lloj sqarimi për shtëpitë nuk na kanë dhënë. Unë banoj akoma në çadër dhe nuk marr asnjë përgjigje nga bashkia."
"I bëj thirrje të na japin bonusin e qirasë, nuk kemi mundësi të paguajmë qira."
I pyetur për këto problematika, drejtori i Planifikimit Urban në Bashkinë Kurbin, Benard Pali, thotë se vonesat në kalimin e bonusit të qirasë janë krijuar nga thesari, duke premtuar se problemi është drejt zgjidhjes.
Ndërsa përsa i përket procesit të rindërtimit për banesat individuale, thuhet se do të jenë gati brenda vitit që 2022.





