Huaja 60.000 euro nga kunati shkarkon nga detyra gjyqtaren Irena Hoxha

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Tiranës, Irena Hoxha. Hoxha u hetua në të tre kriteret nga një trupë e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Suela Zhegun.

Nga sa doli prej relatimit, gjyqtarja kishte rezultuar pa probleme në kriterin e figurës dhe atë të profesionalizmit.

Ndërsa hetimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në kriterin e pasurisë e nxorën gjyqtaren e Tiranës me një mungesë të ardhurash mbi 7 milionë lekë.

Balanca negative vinte kryesisht nga moskonsiderimi si burim i ligjshëm prej Komisionit i një huaje 60 mijë euro nga vëllai i bashkëshortit në blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Irena Hoxha ka një karrierë prej 25 vjetësh në gjyqësor. Ajo ka filluar detyrën si ndihmës gjyqtare dhe kancelare në gjykatën e Dibrës dhe në vitin 2011 është transferuar në kryeqytet.