Vrasja e kamarierit në Elbasan/ Shpallet në kërkim Erjon Llapushi, kontrolle në Pogradec
Policia ka nisur operacionin për kapjen e autorit të dyshuar për vrasjen e kryekamarierit të restorantit 'FishCity' në zonën e Labinotit në Elbasan i cili u godit për vdekje 5 ditë më parë.
Policia ka bërë të ditur se Gazmend Kurmaku, 50 vjeç, u godit me sende të forta dhe me grushte nga Erjon Llapushi i cili kishte shkuar si klient, ku ishte ulur në një tavolinë të rezervuar.
Në atë moment kryekamarieri Gazmend Kurmaku e ka njoftuar të riun se tavolina ku ishte ulur ishte e zënë, por Erjon Llapushi e ka kundërshtuar duke e ofenduar dhe më pas e ka goditur.
Si pasojë e sulmit fizik 50-vjeçari ra duke përplasur kokën me një pjesë betoni ku më pas përfundoi në gjendje kome.
Pas këtij momenti dyshohet se Llapushi ka kërcënuar edhe punonjësit e tjerë dhe më pas është larguar nga vendi I ngjarjes në drejtim të paditur.
Burimet nga policia pohuan se është marrë në pyetje pronari i resortit, biznesmeni Gjergj Luca si dhe persona të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen.
Hetuesit kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së lokalit për të vëzhguar dinamikën e ngjarjes ku shkaktoi vdekjen klinike për disa ditë të Gazment Kurmakut.
Policia e Elbasanit po bashkëpunon me atë të Korçës për lokalizimin e autorit për të cilin dyshohet se fshihet në zonën e Pogradecit pasi banon atje.
Autori i dyshuar i ngjarjes është me precedentë penal penalë pasi dy vite më parë, së bashku me Saimir Frahollin u bënë në mënyrë të dhunshme aksionerë në një kompani private e transportit rrugor.
Po kështu i dyshuari për ngjarjen ka qenë në sitën e operacionit forca e ligjit ku i është kërkuar të justifikojë pasuritë.
Më 29 maj 2021 ai ra në pranga në kuadër të operacionet perimetri pasi u kap duke transportuar 24 emigrantë të paligjshëm në zonën e Pogradecit ndërkohë që nuk dihet si ka rifituar lirinë.


