Basha: Mos kini iluzione! Rama nuk ndal shpenzimet e OSHEE-se që çojnë valixhet lart. Tigri firmos

Qeveria Rama shpalli gjendjen e emergjencës së energjisë elektrike duke nisur nga 8 tetori 2021 deri më 15 prill të 2022.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha akuzon Ramën se punon për pasurimin e oligarkëve duke i vjedhur xhepat e qytetarëve dhe se po përdor krizën për të mbushur gropat në buxhet.

“ Sudja me mjekër sa herë themi ço paratë tek qytetarët thotë s’ka para. Sa vjen puna për të bërë 20 milionë euro kilometrin vendimi merret natën. Deri tani firmoste ai që pastaj qahet në facebook tani ka vënë Tigrin (Shenim redaksional: I referohet Arben Ahmetaj)  e të tjerët që do të bëjnë të njëjtën gjë” tha Basha në një konferencë për median.

Sipas vendimit të sotëm të qeverisë, shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., do të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. 

Por Basha  e quan mashtrim dhe se vetëm PD ka ekipin gati për të qeverisur vendin por se kjo u ndalua nga "masakra zgjedhore"

“Këta dhe kur kopjojnë çfarë ne propozojmë nuk e  bëjnë. E marrin por nuk e bëjnë. Të ndalësh shpenzimet luksoze vjedhjen e OSHEE-së e KESh do të thotë ti biesh me shkelm njerëve nga Ard Çela, e të tjerë sepse çojnë valixhet lart e më lart. Është mashtrim. Mos kini iluzion. Ka një rrugë por mund të ndiqet nga një qeveri e përgjegjshme e jo një bandë e dalë nga një masakër zgjedhore.”

Sa i takon nismave të opozitës për ngritjen e tre komisioneve parlamentare dhe uljen e TVSH-së, Basha tha: “Të lënë vallen e Osman Takës dhe të enjten të tre komisionet duhet të kalojnë në kuvend. Ka nisur procesi për depozitimin e kërkesës për uljen e TVSh nga 20 në 6 %”