Sondazhi: 60% e studentëve të pavaksinuar, Bujqësori me mbulesën më të ulët vaksinale
60 për qind e studentëve nuk e kanë kryer ende vaksinën anti-Covid, ndërsa pjesa më e madhe e atyre që kanë injektuar dozën anti-Covid, kanë zgjedhur Pfizer. Ministria e Shëndetësisë kërkoi nga bashkitë që të bashkëpunojnë për të sensibilizuar më qytetarët në çdo cep të Shqipërisë për tu vaskinuar.
Ritmet e ulëta të vaksinimit kanë detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të kërkojë ndihmën e bashkive për tu bërë thirrje qytetarëve që të marrin dozat anti-Covid.
Nga Fieri, Ogerta Manastirliu kërkoi që njësitë vendore të trokasin derë më derë, në mënyrë që askush të mos mbetet i pavaksinuar.
Manastirliu: Do të kërkoja angazhimin tuaj në territor, si drejtues vendorë dhe që keni një lidhje të fortë me komunitetet tuaja, që bashkë me ekipin e shëndetësisë, të shkojmë derë më derë, në çdo fshat, në çdo shtëpi, për t’i dhënë mundësi çdo qytetari të mbrohet duke u vaksinuar. Ky nuk është një aksion i zakonshëm, është një aksion në emër të jetës. Ne do të garantojmë përmes një plani të mirëorganizuar, vaksinimin derë më derë, me njesitë e lëvizshme, me strukturat tona në territor.
Nga e hëna pritet të nisë edhe aksioni i vaksinimit të studentëve në universitet, në mënyrë që në auditore të rikthehen më të sigurt.
Manastirliu: Dua t’i bëj thirrje çdo qytetari të vaksinohet jo se e themi ne, po se e thonë ekspertët më të mirë në botë. Se nuk ka rrugë tjetër për të afruar fundin e kësaj pandemie përveçse me vaksinim. Nga ana tjeter, do të nisim të hënën një tjetër aksion, do të jemi në terren në çdo universitet, për vaksinimin masiv të studentëve, si domosdoshmëri për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri akademik që është në prag.
Por një sondazhi i bordit dhe portalit studentor, tregon se deri tani vetëm 40% e studentëve kanë marrë dozën anti-Covid.

Mbulesën më të madhe vaksinale e ka Universiteti i Mjeksisë, ndërsa më pak të interesuar kanë qenë studentët e Universitetit Bujqësor.
Vaksina më e aplikuar ka qenë Pfizer dhe më pas AstraZeneca.
Megjithëse gjatë pandemisë kërkesa kryesore e studentëve ishte kthimi në auditore, të dhënat e sondazhit tregojnë se rreth 11% prej tyre që shohin me interes zhvillimin e mësimit online.
