"Nuk ishim ne…", Basha komenton njoftimin e Ambasadës amerikane për protestën dhe incidentin me flamurin e PD
Partia Demokratike duket se nuk është ende gati për të thirrur protesta, por kryetari i saj Basha deklaroi se do të mbështesin në çdo rast reagimin e qytetarëve.
Në një dalje për mediat, Basha gjeti rastin të komentojë edhe korrigjimin e njoftimit të Ambasadës amerikane, që ja faturoi organizimin e protestës së fundit kundër rritjes së çmimeve.
Basha gjithashtu mohoi dhe u distancua edhe nga incidenti me flamurin e PD në protestë.
Basha: E keni parë pjesëmarrjen e PD por jo si politikanë por si qytetarë bënë protestën e thirrur nga qytetarët. E keni parë dhe korrigjimin në njoftimin e një Ambasade të një vendi partner. Kur ne thërrasim protesta, siç i kemi thirrur dhe do ti thërrasim, nuk fshihemi pas askujt. Ne kemi thirrur dhe do të thërrasim protestat më të mëdha që ka njohur ndonjëherë ky vend. Por ne nuk mund të biem në kurthin e atyre që duan të politizojnë gjithçka.
Çështja në fjalë nuk i përket një partie politike, nuk është cështje partie por është çështje kombëtare, është çështje qytetare. Jemi të lumtur që qytetarët kanë nisur reagimin e tyre, çdo akt provokativ për ti veshur flamurin tonë siç ndodhi aty do të bëjmë gjithçka për të shmangur, nuk ishim ne që e bëmë, janë ata që duan ta ngjyrosin politikisht çdo reagim qytetar, vendi vuan nga mungesa e reagimit qytetar, por që do të jemi aty, që do ti inkurajojmë, do ti nxisim, mbështesim në çdo mënyrë dhe formë që ka në dorë PD dhe demokratët kudo që janë për këtë të mos të keni as më të voglin dyshim.
Ndërkohë pyetjes se cili është grupi i punës që ka hartuar planin me 7 pika që ai ka prezantuar për të shmangur krizën e energjisë, ai i dha këtë përgjigje:
Basha: Të garantoj se në fushën e energjisë, ekonomisë, ligjit, teknologjisë së informacionit, zhvillimit rural, shëndetësisë, arsimit, marrëdhënieve me jashtë, integrimit europian, çështjeve sociale, PD e Shqipërisë disponon potencialet njerëzore, profesionale, ekspertët më të mirë që ka vendi, të pakrahasueshëm dhe me momentin më të mirë të kësaj qeverie i cili nuk mbahet mend jo më me karikaturën që i thotë sot vetes qeveria e Shqipërisë.
