“Luigj Gurakuqi” gati për studentët, Golemi: Degët e Mësuesisë të prekura nga kriza e regjistrimeve

Universiteti i Shkodrës është gati të çelë dyert me prani fizike për studentët në vitin e ri akademik ku kusht është vaksinimi. Rektorja, Suzana Golemi, thotë se degët e Mësuesisë janë më të prekura nga kriza e regjistrimeve, por asnjë degë nuk rrezikon të mbyllet.

Tri qendra vaksinimi do të ketë universiteti "Luigj Gurakuqi" i Shkodrës në funksion të procesit të vaksinimit për studentë e pedagogë.

Një javë para nisjes së vitit të ri akademik, rektorja Suzana Golemi, thotë se 80 % e pedagogëve janë të vaksinuar, por për studentët të dhënat e sakta mungojnë.

"Nuk kemi numër të saktë, di që janë vaksinuar disa studentë por numër të saktë nuk kemi."

Çdo gjë është gati për nisjen e vitit të ri akademik, këtë herë me prezencë në auditore të studentëve, thotë Golemi, e cila sqaron se degët e Mësuesisë janë më të prekura nga kriza e regjistrimeve.

Por asnjë degë thotë ajo nuk rrezikon të mos hapet.

"Nuk ka degë që rerzikon të mos hapet. Vazhdojnë regjistrimet."

Zhurmën e krijuar mbi shifrat e INSTAT për regjistrimet e pranon, por tregohet e kujdesshme të argumentojë përse ka ardhur kjo gjë.

"Ka pasur një rënie por besoj se jo vetëm Shkodra e ka këtë rënie te degët e Mësuesisë. Krahasuar me vjet, regjistrimet janë më të mëdha këtë vit".

Universiteti i Shkodrës është ndër institucionet e arsimit të lartë më të vjetra në vend, dhe i vetmi në veri.