Pas debateve në Kuvend, Manastiliu shtrin dorën e bashkëpunimit për vaksinimin: Opozita duhet të jetë pjesë e fushatës

Pas debateve të ashpra të një dite më parë në Kuvend, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e ftoi nga Fieri opozitën të bëhet pjesë e fushatës së madhe të vaksinimit kundër Covid 19.

Manastirliu edhe njëherë e apeloi opozitën që të mos e përdorë politikisht situatën e pandemisë.

Manastirliu: Opozita duhet të jetë pjesë në këtë fushatë të madhe të vaksinimit sepse vetëm duke qenë të gjithë bashkë ne mund t'ja dalim që mbrojmë jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Debati kur është konstruktiv, kritikat kur janë konstruktive janë mëse të mirëpritura. Ne kemi thënë që në krye të herës që jemi shumë të hapur që ta kemi opozitën në tavolinë për të bërë bashkë atë që është më e mira për njerëzit. Por akuzat, gënjeshtrat apo çdo baltë që i hidhet sistemit, punës së sistemit shëndetësor, mjekëve, infermierëve, duke vënë në dyshim punën e tyre, performancën e tyre kjo nuk i bën mirë. Por qytetarët janë vetë të zgjuar, e dinë mirë sesi i përgjigjen, ja kanë treguar edhe opozitës përgjigjen e tyre. Dua të them dhe njëherë se dora jonë është e shtrirë për bashkëpunim sepse ky virus dhe kjo situatë ashtu sikurse dhe këto 18 muaj kërkon dhe ka kërkuar që të jemi bashkë. Vetëm nëpërmjet rritjes dhe forcimit të zinxhirit të forcimit të solidaritetit ne mund të këpusim zinxhirin e infeksionit.

Deklaratat ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, i bëri pas takimit me drejtues vendorë në bashkinë Fier, të cilëve u kërkoi angazhimin për të ftuar qytetarët për t’u vaksinuar.

Manastirliu: Do të kërkoja angazhimin tuaj në territor, si drejtues vendorë dhe që keni një lidhje të fortë me komunitetet tuaja, që bashkë me ekipin e shëndetësisë, të shkojmë derë më derë, në çdo fshat, në çdo shtëpi, për t’i dhënë mundësi çdo qytetari të mbrohet duke u vaksinuar. Ky nuk është një aksion i zakonshëm, është një aksion në emër të jetës. Ne do të garantojmë përmes një plani të mirëorganizuar, vaksinimin derë më derë, me njesitë e lëvizshme, me strukturat tona në territor.

Duke theksuar se nuk ka kohë për të humbur, Manastirliu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen, ndërkohë që bëri me dije se nga e hëna do të vijojë një aksion në çdo universitet për vaksinimin e studentëve.

Manastirliu: Dua t’i bëj thirrje çdo qytetari të vaksinohet jo se e themi ne, po se e thonë ekspertët më të mirë në botë. Se nuk ka rrugë tjetër për të afruar fundin e kësaj pandemie përveçse me vaksinim. Nga ana tjeter, do të nisim të hënën një tjetër aksion, do të jemi në terren në çdo universitet, për vaksinimin masiv të studentëve, si domosdoshmëri për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri akademik që është në prag.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,783,984 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 825,110 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antiCOVID. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,262,960 vaksina antiCOVID.