Riatdhesimet nga kampet e luftës, Rama i jep" Yllin e Madh të Medaljes" Gjeneralit libanez: Shqiptari më i mirë
Shqipëria i dorëzoi "Yllin e Madh" të Mirënjohjes Publike Gjeneral-Majorit Abbas Ibrahim për ndihmën e dhënë në shpëtimin e fëmijëve shqiptarë nga kampet e luftës në Siri. Në ceremoninë e rastit kryeministri Rama tha se këto operacione do të vazhdojnë ndërkohë që gjenerali libanez tha se kush shpëton një fëmijë ka shpëtuar botën.
Gjeneral-Major Abbas Ibrahim i cili është personi kyç që ka kontribuuar në lirimin e fëmijëve dhe grave shqiptare nga kampi Al Holh, e priti me modesti nderimin dhe mirënjohjen nga qeveria shqiptare.
Kryeministri, Edi Rama, i akordoi Gjeneralit libanez "Yllin e Madh" të Medaljes për Mirënjohje Publike për kontributin e dhënë në operacionet e shpëtimit të fëmijëve shqiptarë nga kampet e Sirisë.
"Ka qenë krahu ynë i zgjatur drejt atyre fëmijëve dhe grave, ka qenë shqiptari më i mirë, i papërtuar, i pakursyer dhe pa asnjë interes tjetër përveç interesit human për të nxjerrë nga ferri nxjerëz fatkeq" tha ai.
Në fjalën e rastit, kryeministri Rama pohoi se deri tani janë nxjerrë nga kampet vetëm gjysma e shqiptarëve ndërkohë që vijon puna për të tjerët.

Rama: Kemi nxjerrë prej andej më shumë se gjysmën e personave. Vazhdon përpjekja, sikundër janë rritur dhe vështirësitë pasi situata në kampe është shumë e paqëndrueshme dhe nuk bëhet fjalë për të negociuar me një autoritet të vetëm por për të ndërvepruar me shumë koka, shumë faktorë, njëri më misterioz dhe më i rrezikshëm se tjetri.
Dua ta falenderoj Gjeneralin për kurajon që na ka dhënë në marrjen e zotimit për të shpëtuar të gjithë ata fëmijë dhe sigurinë që na ka dhënë se mund ta mbajmë zotimin. Ai ka krijuar kushte optimale për sigurinë fizike të personelit shqiptar të angazhuar qoftë në Liban, qoftë me penetrimet brenda territorit të Sirisë dhe në burimet logjistike për të asistuar operacionin dhe patjetër me kapacitetin e tij ndikues mbi aktorët e tjerë politikë me ndonjë prej të cilëve nuk kemi asnjë komunikim dhe asnjë mundësi komunikimi.
Shefi i qeverisë nënvizoi se pikërisht ky mision humanitar dhe roli që ka dhënë Gjenerali libanez dhe konsulli jonë i nderit gjithashtu, ka përmirësuar edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Libanit.

Rama: Gjithë kjo ka sjellë që edhe marrëdhëniet tona me Libanin të marrin një përmasë miqësore të rëndësishme. Kemi hapur konsullatën e përgjithshme në Beirut, përsëri kontribut që vjen pa asnjë ngarkesë të asnjë lloj natyre për shtetin shqiptar nga konsulli jonë i nderit që ka meritën e jashtëzakonshme pasi ka qenë ai që na ka prezantuar gjeneralin. Kështu është krijuar ky zinxhir miqësie, solidariteti dhe bashkëpunimi mes njerëzve që i bashkon një qëllim që shkon përtej politikës, kufijve, gjeografisë, që është qëllimi i të bërit botës një vend më të mirë me kredon e profetit Muhamed që thotë: "Kush shpëton një njeri ka shpëtuar njerëzimin".
Falenderoj dhe Konsullin me shumë respekt dhe miqësi. Meqenëse sa herë jam takuar me Gjeneralin në tokën e tij i jam lutur që të vijë në Shqipëri për t'ia shprehur mirënjohjen në emër të gjithë popullit shqiptar dhe në sytë e të gjithë popullit shqiptar ndihem shumë i nderuar dhe ndihemi të gjithë të nderuar ta quajmë mikun tonë këtu në shtëpinë tonë.Siç thoshte poeti i njohur libanez: Një mik që është larg ndonjëherë gjendet më afër se miku që ke pranë. Ky është rasti tipik i ilustrimit të fjalëve të poetit të madh.
Gjeneral, fjalët për ju nuk mjaftojnë asnjëherë për të shpërblyer veprën tuaj. Edhe medalja e mirënjohjes publike çka shpreh dhe formalisht mirënjohjen më të lartë përsëri mbetet simbolike por nuk e thotë dot si vepra jua rëndësinë e saj.I keni garantuar një të ardhme më të mirë shumë fëmijëve dhe u ke dhënë mundësinë të jetojnë në vatrën e tyre dhe unë ju garantoj sot se Shqipëria është shtëpia juaj dhe vatra jonë edhe e juaja.

I bindur për të vazhduar misionin e shenjtë të shpëtimit të jetëve njerëzore, Gjeneral Major Abbas Ibrahim ndau me të pranishmit edhe sfidat me të cilat përballet vendi i tij.
Ibrahim: E drejta e lirisë është themelore që për çdo qenie njerëzore. Shqipëria si shumica e vendeve ka vuajtur nga katastrofa e terrorizmit në botë.Shqipëria si shoqëri ka paguar një çmim të lartë gjatë 2 apo 3 viteve ku gra dhe fëmijë u morën dhe fati i tyre ishte i panjohur. Që prej fillimit kjo luftë ka qenë përparësi e kryeministrit, ku kërkonte kujdes dhe përpjekje të pandalshme për riatdhesimin e familjeve në kampet që drejtohen nga forcat kurde.
Misionet nuk kanë qenë të lehta, shteti mori përsipër përgjegjësitë karshi qytetarëve të vetë dhe marrja e lirisë mbrapsht nuk përshkruhet si ndjesi. Ka një ditë lirie për të gjithë ne, është një ditë lirie për Libanin ashtu dhe për Shqipërinë pavarësisht kushteve në të cilat ndodhet Libani.
Ai vijon të zgjasë dorën ndaj miqve të tij dhe komunitetit ndërkombëtar, ju siguroj se ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të negociuar për lirimin e çdo personi të mbajtur peng pavarësisht vështirësive dhe rrezikut të stafit tonë që përballet ne terren.
Ne kuptojmë se çfarë vlere ka liria, ndjesinë e sigurisë dhe sigurimit. I njohim shumë mirë tragjeditë e arrestimit, frikës dhe burgosjes. Këtë medalje ja dedikoj Libanit, Shqipërisë dhe të gjithë atyre që punojnë për sigurinë e njerëzimit dhe lirinë e tij në këtë botë.
Me këtë rast bëj thirrje për lirimin e të gjithë të burgosurve në botë dhe lirimin e njerëzve nga terrori dhe frika dhe udhëheqësve të botë të përhapin gjuhën e paqes në vend të gjuhës së forcës dhe urrejtjes, të përdorin dialogun për të zgjidhur konfliktet për hir të njerëzit dhe të drejtës së tij për të jetuar në liri dhe siguri.
Një prej historive më prekëse të operacioneve për shpëtimin nga kampi Al Holh ishte ajo e 13-vjeçarit Alvin Berisha, që pas shumë vitesh u kthye pranë familjes pas një operacioni të vështirë në Siri.


