"Sa kohë jam unë këtu…", Rama u jep garanci qytetarëve: Çmimet përtokë dhe rrogat përpjetë, realitet imagjinar
Kryeministri, Edi Rama, duke folur për valen e rritjes së çmimeve që ka përfshirë vendin dhe që pritet të kulmojë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike deklaroi sot se diskutimet si ta bëjmë Shqipërinë një vend ku çmimet të jenë përtokë dhe rrogat të jenë përpjetë janë diskutime që lidhen me një realitet që nuk është fizik por imagjinar.
Shefi i qeverisë tha se "jemi në rrugë të drejtë dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë me gjithë dhimbjet dhe sakrificat".
Kryeministri nga ana tjetër theksoi se ata që qahen më shumë nga kjo situatë janë ata që kanë të ardhura më të larta.
Rama: Duhet të jemi realistë. Një pjesë e madhe dhe kryesisht ata që qahen më shumë janë ata që kanë më shumë të ardhura sesa çtregojnë.Mos të harrojmë dhe këtë. Sepse përndryshe nëse u besojmë të ardhurave të deklaruara atëherë shumëçka nuk do të shkonte siç shkon në të vërtetë.
Sot, verifikojeni këtë shifër, Shqipëria ka sasinë më të lartë të kursimeve të depozitave të vogla nëpër banka. Kjo tregon se gjendja është e alarmante apo e qëndrueshme? Nuk po them e bukur por e qëndrueshme. Sot Shqipëria është në nivelin më të lartë të eksporteve. Të gjitha këto duhet të na vendosin në kushtet që të kuptojmë ku jemi, ku duam të shkojmë, mos të humbasim toruan.
Në fund dha edhe një garanci për qytetarët.
Rama: Ta dinë të gjithë se përsa kohë unë jam këtu nuk ka asgjë të mundshme që mund të bëhet për ata që janë më në nevojë dhe që ne do ta lëmë pa bërë. Por ajo që nuk bëhet, nuk bëhet sepse ndryshe pastaj gjendemi siç u gjendëm pas rendjes pas politikave të Vehbiut dhe Sudes.

