IKMT rrafshon disa ndërtesa në Himarë, banorët: Thanë do pastrojmë, na dhunuan pronën

Inspektorët e IKMT kanë hasur në rezistencë të martën në Himarë, teksa kishin shkuar për të zbatuar aksionin “ Bregdeti ynë” që ka si qëllim pastrimin e vijës bregdetare nga ndërtimet pa leje. Banorët e zonës kanë pretenduar se ata janë nxjerrë nga banesat me dhunë.

Mjetet e Inspektoritatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit zbarkuan mëngjesin e së martës në Himarë për të shembur ndërtimet pa leje.

Në ndihmë të IKMT shkuan edhe dhjetëra forca të policisë së Vlorës.

Punonjësit u përballën disa herë me rezistëncën e banorëve, të cilët kundërshtojnë prishjen e objekteve të tyre.

Pronarët e biznesve dhe shtëpive thanë se shembjet janë të paligjshme dhe se disponjnë dokumente për to.

"Kanë bërë azhurnimin këtu, kemi paraqitur dhe dokumentat nga bashkia e Himarës".

"Kanë ardhur me forcë, po na shkulin shtëpitë. E kam blerë me para që në '89."

Ata thanë se nuk janë vënë në dijeni për këtë aksion.

"Më thanë do pastrojnë inertet e lëna nga ajo kohë pa asnjë shkresë zyrtare."

Nga ana tjetër përfaqësues të IKMT deklaruan në përballje me banorët se ata kishin ndërtuar pa leje.

"Më keni dhunuar pronën."

"Je i paligjshëm."

Prishjet në Himarë, vijnë si vazhdimësi e operacionit “Bregdeti ynë” i nisur në qershor të këtij viti, ndërsa aktualisht aty planifikohen të shemben 15 objekte kryesisht bare, restorante njësi metali dhe dërrase.