Kushtetuesja shfuqizon nenin që detyron kandidatët e pavarur të marrin 1% të votave në gjithë vendin
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Kodin Zgjedhor duke shfuqizuar nenin që detyronte kandidatët e pavarur të marrin 1% të votave në të gjithë vendin.
Me këtë vendim, Kushtetuesja i ka dhënë të drejtë pjesërisht kandidatit të pavarur për deputet në qarkun e Dibrës, Elton Debreshit, i cili ishte propozuar si kandidat nga zgjedhësit.
Padia nga Debreshi u depozitua me 13 prill të këtij viti, pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, duke argumentuar se pragu është diskriminues për kandidatët e pavarur, pasi iu kërkohet më shumë vota sesa partive politike.
Konkretisht Gjykata Kushtetuese kërkon shfuqizimin e fjalisë së dytë të pikës 1 të nenit 162, e cila thotë se për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë marrë më pak se 1% të votave të vlefshme në shkallë vendi pasi sipas saj kjo fjali është e papajtueshëm me Kushtetutën " në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike".
Në zgjedhjet e 25 prillit kandidati i pavarur, Elton Debreshi, mori 580 vota.
Më herët, Gjykata Kushtetuese ka shpallur si antikushtetues herësin brenda listës së kandidatëve për deputet që shërbeu në 25 prill në shpërndarjen e mandateve.
Tanimë politika duket edhe më e detyruar që të ulet në një tryezë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor.
Vendimi i Kushtetueses
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 28.09.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues: Elton Debreshi, subjekt zgjedhor kandidat i propozuar nga zgjedhësit, me objekt: - Shfuqizimi i pikës 1 të nenit 162 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se pjesa e fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, që vendos për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit kufizim të njëjtë me atë të kandidatëve të propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike cenon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur, në lidhje me parimin e barazisë në ligj dhe ndalimit të diskriminimit.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,
VENDOSI:
- Pranimin pjesërisht të kërkesës.
- Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike.
Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

