Pas Astirit, Unaza e Madhe kërcënon Laprakën, banorët: Banesat do ti mbrojmë me gjak, janë bërë me djersë refugjatësh

Banorët e Laprakës, banesat e të cilëve preken nga vijimi i projektit të Unazës së Madhe kundërshtojnë vendimin për shembjen e banesave të tyre, një pjesë e të cilave janë të legalizuara dhe pjesa tjetër në proces prej 2006.

Pasditen e sotme ata protestuan te rrethrrotullimi i Shqiponjës. Banorët pretendojnë se janë rreth 700 banesa në këtë zonë që preken nga projekti i ndryshuar disa herë nga varianti fillestar ndërkohë që në rrugë zyrtare nuk kanë asnjë informacion se çfarë do të ndodhë me ta.

Ajo çfarë i ka alarmuar janë matjet që ARRSH ka nisur të bëjë në zonë.

Banorët thotë se do ti mbrojnë me gjak shtëpitë e tyre dhe se nuk i lirojnë ato nëse nuk dëmshpërblehen  financiarisht me çmimin e tregut ose kompensim banese me metër katrorë.

"Pa njoftuar fare kemi marrë të dhëna që duan të prishin të gjitha shtëpitë, kanë deformuar projektin e vjetër. Ja projekti i inxhinierëve të Erion Veliaj. Duket se është korrupsion, nuk ka asnjë lloj transparence.

Po të ketë transparencë, vihet tabela atje, njoftohen banorët dhe diskutohet projekti. Më keq se te Astiri, atje ka pasur biznese kurse këtu vetëm banesa të bëra me djersë refugjatësh. Që në 2006 janë në proces legalizimi dhe nuk e  bëjnë se ka korrupsion të hapur. Do rezistojmë me të gjitha mundësitë që kemi.

Nuk pranojmë ose kompensim financiar 100% me çmimin e tregut që është sot ose kompensim banese me metër katrorë. Do rezistojmë deri në atë masë sa të lëmë dhe jetën. Kërkojmë takim, të vijë këtu Erion Veliaj. Nuk duam diskutim politik por si do veprohet me banesat tonë. Të mos guxojë të afrohet njeri pa ardhur ai këtu. Çfarë projekti është ky, as rrugët e thella të katundeve nuk janë kështu."

"Jemi mbledhur për të mbrojtur shtëpitë, një opjesë janë me legalizim, një pjesë jo. Unë e kam të legalizuar por jemi të gjithë bashkë për një kauzë. Shteti të vijë dhe të japë informacion. Ka ardhur ARRSH dhe ka bërë matjet dhe ka thënë se prekeni nga gjurma e Unazës. Ku banoj unë bëhet e gjitha gërmadhë.Kërkojmë transparencë. Ne nuk lirojmë shtëpitë me dy vjet bonus qiraje, nuk jemi afganë dhe palestinezë. Jemi dy kurorë, kam shtëpi dykatëshe.Shtëpitë do ti mbrojmë me gjak".

"Kërkojmë të drejtat tona. I treti vit që goditemi, tërmeti, pandemia dhe tani vjen tërmeti i tretë që nuk e prisnim. Është një projekt i shndërruar me dhjetëra herë nga pushtetarët. Ka ndryshuar disa herë nga projekti fillestar. Nuk kemi asnjë informacion zyrtar".