Një javë bllokadë në veri/ Rtv Ora në Jarinjë, gazetari Zonja zbulon episodin interesant: Në një gomisteri punonin bashkë një shqiptar dhe një serb

Pas takimeve me opozitën kosovare dhe akademikun Rexhep Qosqja, kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Mitrovicës.

Aty ndodhet edhe gazetari i Rtv Ora, Sebastian Zonja, i cili bëri një pasqyrim të asaj çfarë po ndodh në pikën kufitare të Jarinjës në ditën e tetë të bllokadës.

Me dhjetëra serbë lokalë vijojnë protestën në tendën që kanë ngritur prej një jave, ndërsa kamionët vijojnë të jenë të dislokuar në rrugë duke bllokuar qarkullimin.

"Pak metra më tutje është pika kufitare. Të dfislokuara janë forcat speciale të Kosovës. Situata paraqitet e qetë. Kemi parë një dron në lëvizje. Ndërkohë dy avionë serbë kanë patrulluar në kufirin serb. Po kështu sot ka pasur patrullim të KFOR, forcat polake dhe amerikane."

Zonja thotë se janë 5-6 ndalesa. Me dhjetra mjete të tonazhit të rëndë kanë bllokuar rrugën e cila u shërben qytetarëve shqiptarë dhe serbë për të lëvizur në dy anët e kufirit.

Gazetari i Rtv Ora zbuloi dhe një episod interesant gjatë ndalesës në një gomisteri.

"Ishte një shqiptar dhe serb që punonin bashkë. Nuk pranuan të japin intervistë por për tensionet u shprehën: Nuk kemi çfarë bëjmë, është politike".

Sa i përket lëvizjeve ushtarake nga Serbia që janë raportuar në mediat serbe, gazetari i Rtv Ora tha: "Nuk kemi parë diçka të tillë, janë vetëm efektivët e forcave speciale të Kosovës. Më tutje janë dhe makinat e policisë kufitare. Ndërkohë ka qytetarë që i drejtohen kufirit në këmbë.Deri tani janë 10 mijë automjete që janë pajisur me targa të përkohshme".

Ndërkohë në majën e malit përballë mbi shkëmb është vendosur flamuri serb, që sipas raportimeve është shpalosur ditët e fundit pas situatës së krijuar në veri.