Nis shkolla, paralizohet Tirana nga trafiku

Nisja e vitit të ri shkollor e ka shtuar nevojën e përdorimit të automjeteve dhe kjo gjë ka ndikuar drejtëpërdrejtë në situatën e rënduar të trafikut.Emocionet e nxënësve në ditën e parë të shkollës si duket do të varen nga përballimi i stresit nga prindërit që i shoqërojnë të vegjëlit e tyre me automjetet e tyre private.

Rrugët e Tiranës këtë të hënë, 27 shtator, ishin të ngarkuara nga automjete të shumta.

Institucionet arsimore kanë hapur dyert për nxënësit por edhe këtë vit të ri shkollor siç ndodh rëndom tashmë prej vitesh kjo krijoi kaos në trafikun e  automjeteve.

Në shumë segmente rrugore nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 10:30, shoferët hasën vështirësi për qarkullim megjithëvse në kryqëzimet kryesore pati dhe prani të policisë rrugore.

Kryesisht rrugët pranë institucioneve arsimore ishin ato më të ngarkuarat.

Astiri, rruga "Dritan Hoxha", kryqëzimi që lidh Yzberishtin me Kombinatin dhe Brryli ishin segmentet më problematike.

Katastrofë e cilësojnë drejtuesit e mjeteve situatën e trafikut teksa flasin për pritje të gjata.

"Katastrofë, përveçse kemi pritur shumë gjatë është një bllokim me blloqe atje komplet i palogjikshëm."

"Pak e ngarkuar meqë është ditë e parë e shkollës."

"E vështirë, këtu po shtohen nga dita në ditë".

Të tjerë duke parë ngarkesën e makinave në rrugë, edhe pse kanë një automjet, zgjedhin të lëvizin në këmbë."

"Kam automjet por brenda Tiranës lëviz në këmbë zakonisht."

Edhe qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë ndikoi në krijimin e radhëve të gjata.

Shoferët thonë se situata është shqetësuese ndaj kërkojnë një skemë të re të menaxhimit të trafikut.