"Më shumë se Beogradi do alarmohej Brukseli me Uashingtonin", Rama tregon pse nuk mund të hiqet kufiri Shqipëri-Kosovë


Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë do të mblidhen javën e fundit të nëntorit në Durrës.

Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me studentë të Universitetit të Prishtinës pranoi se shumë prej marrëveshjeve mes dy qeverive kanë mbatur në letër dhe shtoi se kjo ka qenë dhe një nga temat e diskutuara me homologun Kurti për të parë sesi mund të ndryshojnë sistemin e punës.

Rama tha se është e domosdoshme që kufiri mes dy vendeve të jetë vetëm formal pa folur në terma të trashë për heqje kufiri, çka sipas tij do të alarmonte më shumë se Beogradin vetë BE dhe SHBA.

Dhe kjo sipas tij ka qenë edhe arsyeja pse premtimi i shumë liderëve në Kosovë dhe Shqipëri për heqje kufiri ka mbetur thjesht premtim.

Rama: Prej vitesh jemi angazhuar në një marrëveshje mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës në një nivel krejt tjetër, duke futur mekanizmin e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive. Përmes këtij instrumenti kanë mundësi të diskutojnë, marrin vendime dhe ti japin mundësi vetes të ndjekin vendimet në proces. Më pas vjen një tjetër mbledhje e radhës ku bëhet vlerësimi i tyre që janë arritur apo nuk janë arritur. Kemi prodhuar shumë më tepër marrëveshje dhe dakordësi sesa të gjitha vitet e tjera të marra së bashku më parë.

Por nga ana tjetër një pjesë e konsiderueshme e këtyre marrëveshje nuk janë zbatuar plotësisht, ose janë zbatuar pjesërisht ose nuk janë zbatuar fare për shkak të një sistemi pune që duhet ndryshuar, me Kurtin kemi folur sot si ta ndryshojmë këtë sistem pune që edhe administrata këtu dhe në Shqipëri ta ndjekë me të njëjtin vullnet dhe aftësi siç e kemi ne që marrim këto vendime. Gjëja e parë është kufiri që vazhdon të na ndajë, me vullnet dhe angazhim të përditshëm mund të lehtësohet në mënyrë të ndjeshme nga radhët e gjata, kontrollet e dyfishta të gjithë kamionëve që transportojnë mallra nga kjo anë apo ajo anë, radhët dramatike në sezonet turistike.

Mund të kthehet në kufi formal pa ndikim të madh në jetët e qytetarëve si në BE duke u bërë pjesë e një sistemi të ri të lirive të lëvizjes si në BE. Është e pakuptueshme për mua që Shqipëria dhe Kosova të mos e realizojnë këtë. Kjo në një masë të caktuar mund të realizohet pa pasur nevojë për marrëveshje me të tjerët ndërsa në masën e vet të plotë ka nevojë për marrëveshje me të tjerët. Në vite ka pasur herë pas here udhëheqës në Shqipëri dhe Kosovë që kanë bërë deklarata se do heqin kufirin. Kufiri asnjëherë nuk u hoq sepse në momnentin që ti thua në shqip do heq kufirin alarmon gjithë dynjanë dhe nuk alarmon Beogradin aq sa alarmon Brukselin dhe Uashingtonin.

Për këtë arsye unë kam insistuar dhe pse nuk jam unë pagëzuesi dhe as e kam pëlqyer ndonjëherë atë emrin minishengen, duke qenë dhe 198 cm fjala mini nuk më ngjit, ajo që u quajt minishengen që ishte e njëjta nismë si Ballkani i Hapur, u përdor fjala shengen për të dhënë të qartë idenë se për çfarë bëhej fjalë, insistimi ka qenë te lëvizja e lirë e njerëzve.

Serbia ishte e gatshme të futej në atë proces por pa lëvizjen e lirë të njerëzve sepse për Serbinë nëse do pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve do të pranonte automatikisht heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, pavarësisht se e njëjta gjë do të vlente për kufijtë e Serbisë me të tjerë. Ndërkohë ne nuk mund të pranonim një projekt të cunguar, ose të katërta, ose asnjërën prej tyre. Projekti u vonua për disa vite derisa u gjet kjo dakordësi. Janë dy shina paralelisht në të cilat ne duhet të ecim.