Basha: Do depozitojmë kërkesën për uljen e TVSH në 6%, jemi në parlament për kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë

Partia Demokratike do të nisë përballjen parlamentare me kërkesën për ngritjen e tre komisioneve parlamentare hetimore. 

Tre inceneratorët sipas PD-së i  kushtojnë buxhetit të shtetit shqiptar 430 milionë euro, ndërsa u denoncua dhe dhënia e lejeve me urgjencë nga disa ministri njëherësh.

Humbja në Arbitrazh me Bechetin do ti kushtojë shqiptarëve rreth 120 milionë euro, e për këtë opozita akuzon kryebashkiakun Erion Veliaj.

Basha: Shqiptarëve iu duhet te paguajnë tani 120 milionë euro. Kjo do të hetohet, përgjegjësit do dalin hapur para shqiptarëve dhe ne do të ndjekim pastaj, të gjithë hapat e tjerë të mundshëm për t’i vënë ata përpara drejtësisë. Mafia e inceneratorëve, bashkëpunimi i tyre me zyrtarët më të lartë të shtetit, përbën një korrupsion në kurriz të qytetarëve shqiptarë, përbën po kështu një masakër shëndetësore mbi shqiptarët. Kush i ka harruar pamjet e qyteteve tona që digjeshin gjatë verës, vetëm e vetëm për të justifikuar që ato pak para që i kanë mbetur të taksave të shqiptarëve, t’i çonin te mafia e inceneratorëve. Pra, këto janë fillimi i një ofensive parlamentare, të pjesës parlamentare të ofensivës, e cila do të kompletohet me të gjithë komponentët e saj.

Komision Hetimor do të kërkohet dhe për votimet e 25 prillit.

Basha:Tre komisionet hetimore do të targetojnë i pari masakrën zgjedhore në të gjithë komponentët e saj por me theks tek ato që tashme janë dhe në raportin e OSBE-ODIHR të konfirmuara si krimi zgjedhore , që nga sistemi kriminal i patronazhistëve që vodhi dhe përdori të dhënat personale dhe private të qytetarëve për t’i shantazhuar ata, tek keqpërdorimi i burimeve shtetërore, tek keqpërdorimi dhe abuzimi me fondet e tërmetit, me legalizimet, me punësimet, e kështu me radhë. Komisioni tjetër do të merret me një çështje që e ka marrë vesh gjithë bota tashmë, që është çështja Beketi. E treta, ka të bëjë po kështu me një çështje të mirënjohur për opinionin publik, e cila me siguri nuk do të zërë vend kryesor në kronikat e lajmeve sonte po shpresoj të jemi live tani, që është çështja e inceneratorëve. Ne jemi në këtë parlament ne funksion të kthimit të legjitimitetit dhe të demokracisë në vend i cili është asgjësuar nga masakra zgjedhore e 25 prillit.

Në Kuvend Partia Demokratike do të paraqitet dhe me kërkesën për uljen e TVSH-së.

Këto pika Basha i ka diskutuar me grupin parlamentar ndërsa theksoi se me uljen e taksave do të ulen çmimet e ushqimeve duke rritur ekonominë.

Basha: Ne do t’i kërkojmë uljen e TVSH duke provuar qartë se ky shtet pavarësisht se i rrënuar, i grabitur, i zhvatur prapëseprapë e ka mundësinë qe duke ia u hequr paratë, favoret, një grushti njerëzish për të cilët punon kjo qeveri t’i shërbejë këtyre 97% te Shqiptarëve pikërisht pra duke ulur TVSH si një hap të parë dhe të menjëhershëm për këtë krizë te thellë ekonomike dhe për thellimin e kësaj krize përmes rritjes së çmimeve te ushqimeve bazë dhe shërbimeve bazë.

Edhe një herë kryetari i PD theksoi se është drejtësia e re që duhet të hetojë.