Rama: Minishengeni ishte lëvizje e lirë, por Serbia nuk e donte këtë lëvizje, se hiqej kufiri Shqipëri-Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qenë i ftuar për një bisedë nga studentët e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Universitetin e Prishtinës.

Ai tha se ideja e minishengenit ishte një nismë për lëvizjen e lirë në rajon, duke theksuar se Serbia prandaj nuk e pranonte një gjë e tillë, sepse hiqte kufirin mes Shqipërisë e Kosovës.

Rama: Ajo që në fillim u quajt minishengen, që nuk e kam pëlqyer ndonjëherë se jam i gjatë dhe fjala mini nuk më ngjit, por në fakt ishte e njëjta nisëm si Ballkani i Hapur, dhe u përdor fjala Shengen për të dhënë kuptimin se për çfarë bëhet fjalë. Dhe ideja ishte lëvizja e lirë e njerëzve.  

Serbia ishte e gatshme që të futej në atë proces, por pa lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse për Serbinë nëse pranohej lëvizja e lirë e njerëzve, do të pranohej heqja e kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë, pavarësisht se e njëjta gjë do të vlente edhe me Serbinë për të tjerët. Ne nuk mund të pranonim një projekt të cunguar.