Kurti dhe Osmani e shkarkuan nga detyra, Edi Rama punëson si këshilltare ish-udhëheqësen e AKI-së

Vlora Hyseni, ish- nëndrejtore e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, është emëruar këshilltare e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Lajmi është bërë me dije nga mediat e Kosovës, që bëjnë me dije se Hyseni para disa muajsh është shkarkuar nga posti, nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.

Kush është Vlora Hyseni?

Mediat e Kosovës, bëjnë me dije se Vlora Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj, periudhë gjatë së cilës institucioni që mbledh dhe shpërndan informacione të rëndësishme për shtetin te kryeministri dhe presidenti, kishte mbetur pa drejtor.

Ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të këtij viti kur u emërua Petrit Ajeti.

Hyseni nga informacionet e pakëta që dihen për të, përshkruhet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ndërkohë në vendin tonë deri më tani nuk ka informacione  në lidhje me emërimin zyrtar për emërimin e Vlora Hysenit si këshilltare e Ramës./Ora News/