Messi rikthehet ndaj Man. City. Pochettino harron sherrin Neymar-Mbappe

Ka një lajm të mirë te Paris Saint Germain. Sulmuesi argjentinas është stërvitur rregullisht me ekipin francez dhe do të jetë gati për duelin ndaj Man. City në Champions League por në konferencën për shtyp për këtë takim, trajneri argjentinas u bombardua me pyetje për dy situata delikate.

Njëra ka të bëjë me sherrin Neymar-Mbappe në distance dhe tjetri me situatën e Gigi Donnarummas.

“Neymar dhe Mbappe janë djem fantastikë. Në futboll mund të ndodhin shumë gjëra mes shokëve të skuadrës. Qëllimi dhe objekktivi i të gjithëve është të fitojmë. Debati në distancë? Episodi bëri shumë zhurmë jashtë, por nga brenda asgjë nuk ndodhi. Të dy biseduan me njëri -tjetrin, unë gjithashtu bisedova me ta dhe në stërvitje ata po qeshnin me njëri tjetrin".

Më pas trajneri argjentinas foli dhe për Donnarumman dhe analizoi gjithashtu sfidën ndaj Man. City teksa konfirmoi se Messi është rikthyer me grupin.

“Sa për Donnarumman nuk konfirmoj nëse do të luajë. Nuk e di ku bazohet shtypi italian që ai do të jetë në fushë. Ne kemi portierë të shkëlqyeshëm dhe të gjithë portierët e mëdhenj përshtaten me kërkesat e stafit. Ne jemi të kënaqur me atë që kanë bërë deri tani. Messi? Nuk konfirmoj asgjë deri ditën e ndeshjes, por ai do të jetë në dispozicion dhe i është bashkuar grupit. Ai kaloi njëzet vjet në Barcelonë dhe duhet lënë i qetë që të përshtatet me mjedisin e ri, duhet ta bëjmë atë që të ndihet si në shtëpi”, tha Pochettino.

Lidhur me duelin ndaj Guardiolës, argjentinasi tha se ka zgjedhje të mjaftueshme për të përballur ekipin anglez./Ora News/.