Shkelje e rregullave në rrugë, policia arreston 26 shoferë, pezullon 107 patenta dhe vë 2260 gjoba
Policia Rrugore ka ushtruar në të gjitha rrugët e vendit, me radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera dhe aparate fotografike e alkooltestues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Ndërkohë, përgjatë fundjavës janë arrestuar në flagrancë 26 drejtues mjetesh, nga të cilët 15 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 11 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Po ashtu, janë pezulluar 107 leje drejtimi, nga këto 59 për shpejtësi tej normave të lejuara, 44 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 2260 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.
Ndërkohë, Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Në të gjitha akset nacionale, nga Rruga e Kombit deri në Sarandë, nga Korça në Berat, si dhe në qendrat kryesore urbane, ka patrulla të Policisë Rrugore me radarë, alkooltestues, dronë, kamera e aparate fotografike.

