Rama: Kosova nën diktaturë lëvizte lirshëm me pasaportën e Millosheviçit, sot jo se BE nuk mban fjalën

Kryeministri  Edi Rama e ka cilësuar një absurd faktin se Kosova vijon të mbetet i vetmi vend në Europë që nuk lëviz lirshëm pa viza, për më tepër që është edhe i vetmi komunitet i çliruar nga NATO.

Shefi i qeverisë shqiptare kujtoi se kjo e drejtë që qytetarëve të Kosovës u mohohet sot, e kishin nën regjimin e egër të Millosheviçit, si pjesë e Jugosllavisë.

"Ju duhet të lëviznit lirisht pa viza prej disa vitesh, dhe jeni i vetmi komunitet në Europë që iu kërkohen vizat dhe jeni komuniteti i vetëm që Aleanca Euro-Atlantike ka çliruar nga një diktaturë etnike, ky është një absurd. Gjyshërit tuaj më pasaportën e Milosheviçit lëviznin të lirë, ju sot nuk lëvizni dot të lirë, pse se BE nuk mban fjalën. Ashtu siç iu thanë të gjithëve , iu tha edhe Kosovës do bëni këto dhe do iu liberalizojmë vizat. I bëri Kosova të gjitha, e thotë vetë BE dhe sot nuk i liberalizojnë".

Në një bashkëbisedim me studentë të Universitetit të Prishtinës, Rama foli edhe për hapjen e negociatave  të Shqipërisë dhe  Maqedonisë së Veriut me BE që sipas  kanë mbetur peng i politikave të brendshme të Unionit, pasi sipas tij sot Bashkimi Europian drejtohet nga interesat lokale dhe sondazhe.

"Sot BE udhëhiqet nga interesat lokale dhe sondazhe dhe mbi bazën e sondazheve veprojnë. Janë 27 palë zgjedhje vendore, 27 të përgjithshme, , rajonale e europiane brenda 4 vitesh dhe imagjinoni tani se çfarë bëhet.E vetmja gjë që ka mbetur është që ne të bashkohemi këtu ku jemi në rajon, ku BE nuk vjen e na thotë dot mos kaloni ju lirisht mes jush apo mos zhvilloni ekonominë".