"Kosova ka të drejtë për targat!" Rama në krah të Kurtit për reciprocitetin por e paralajmëron për Specialet duke i kujtuar tarifën
Kryeministri, Edi Rama, përsëriti edhe gjatë takimit me studentë të Universitetit të Prishtinës se Kosova është në të drejtën e saj për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat.
Shefi qeverisë shqiptare e bëri të qartë se pavarësisht pretendimeve të Serbisë, serbët e Kosovës nuk po kërcënohen nga askush, përkundrazi ndër pakicat kombëtare më të përkëdhelura.
Si shembull solli absurdin me mbulimin e faturave të dritave nga buxheti i Kosovës.
Rama legjitimoi dhe dërgimin e forcave speciale të veri në nisje të zbatimit të reciprocitetit por nënvizoi se çdo zgjatje e qëndrimit të tyre do të kthehej në boomerang për Kosovën njësoj si me tarifën 100%.
Ndaj Rama tha se tashmë është koha që palët të ulen në dialog.
Edi Rama: Kjo është shumë e qartë në vështrimin tim, mendoj se Kosova ka të drejtë. Çështja e qarkullimit të mjeteve, çështja e targave është një çështje e legjitimitetit, të sovranitetit të çdo vendi dhe nga ana tjetër është çështje që është shqyrtuar më parë, në marrëveshje të mëparshme. Serbia pretendon se këtu po kërcënohen qytetarët serbë të Kosovës ndërkohë që faktikisht këtu është shumë e qartë që serbët e Kosovës jo vetëm nuk kërcënohen nga askush dhe për asgjë por janë pakica kombëtare nga më të përkëdhelurat dhe me të drejtë mendoj unë dhe kjo e bën Kosovën një nga shembujt më të shkëlqyeshëm sesi duhet trajtuar një pakicë kombëtare pavarësisht se unë nuk e kuptoj dot sesi mund ti paguhen dhe faturat e dritave, është përtej. Por fakt është se nuk kërcënohen nga shteti i Kosovës, qeveria e Kosovës, policia e Kosovës.
Ata janë pengje të një dialogu të mbetur rrugëve dhe të moszgjidhjes përfundimtare të çështjes, ato manovrat teatrale me helikopterë dhe avionë mund të sugjestionojnë opinionin publik serb që mbase ka nevojë të ushqehet me idenë që disponon mjete ushtarake për të mbrojtur vëllezërit që në fakt nuk kërcënohen asgjë, ose mund të sugjestinojnë njerëz këtu apo në botën shqiptare që shikojnë nga facebook vetëm luftë. Në facebook është kollaj por Kosova e ka fituar luftën kur ju që jeni këtu nuk kishit lindur akoma apo sa kishit lindur. Ju jeni 22-23 vjeç, si mund të vazhdohet me luftën ndërkohë që këtu bëhet fjalë për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme pjesë e të cilës nuk diskutohet, është e pakuptimtë nëse nuk do të ishte njohja e përfundimtare e Kosovës që në fakt është përmbyllja formale e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Mendoj se situata është e qartë por gjëja që më shqetëson është që të mos ndodhë siç ndodhi me tarifën.
Çuarja e forcave speciale në momentin e parë për tu siguruar që nuk ndodh diçka e papëlqyershme, diçka lënduese për njerëzit qoftë për ata që shërbejnë apo ata që shërbehen nuk më duket se është shpallje lufte apo provokim i kujdo qoftë, por mbajtja e forcave speciale aty për një kohë të gjatë do të ishte bopmerang si me tarifën. Kur u vu tarifa e mbështeta publikisht sepse ishte një klithmë për tu dëgjuar, ishin shkruar letra e letra në Bruksel për shkelje, mosrespektime të marrëveshjeve midis dy vendeve dhe u desh tarifa për ti ngritur veshët të gjithë opinionit ndërkomëbëtar që nuk jeton përditë me ne dhe nuk është aty për tu marrë çdo ditë me çfarë hallesh dhe problemesh kemi ne, prandaj duhet ti dalim zot vetes me guxim, jo duke imagjinuar që gjërat që dalin në procesin e paqes të zgjidhen me mjetet e luftës se nuk zgjidhen, vetëm na fusin në iluzione dhe na vonojnë. Por duke pasur kurajo dhe shkathtësi diplomatike.
Tarifa nga një klithmë që sensibilizoi të gjithë u kthye në një litar që i lidhi këmbët Kosovës dhe e bëri të duket si delja e zezë për shkak se u mbajt gjatë pa lidhje, u kthye në një instrument për të bërë politikë brenda në Kosvë. E njëjta gjë do të ndodhte dhe me forcat speciale nëqoftëse tani që është shtruar problemi forcat speciale nuk do të zëvendësoheshin me forcat në tryezë, mendoj unë modestisht. Kosova është fëmija i bashkësisë ndërkombëtare, ka lindur nga një marrëdhënie ideale në një moment të caktuar mes dëshirës ekstreme për liri që u përkthye në krijimin e një ushtrie çlirimtare dhe mbështetjes ekstreme të një bashkësie ndërkomëbrare pa të cilën as nuk bëhet fjalë që Koova të arrinte të pavarësohej.
Këtë bashkësi ndërkombëtare që dimë shumë mirë se cila është, këta miq dhe aleatë të mëdhenj duhet ti mbajmë shumë afër dhe nuk duhet tu japim shkak të ftohen,të zhgënjehen dhe të lodhen siç ndodhi me tarifën ku Kosova humbi shumë reputacion ndërkombëtar. Politika e jashtme nuk mund të bëhet politikë e brendshme. Mund ta bësh për të marrë vota por dëmton vendin, perspektivën, marrëdhëniet me të tjerët. Ashtu si politika e brendshme nuk mund të bëhet politikë e jashtme.Ngatërrimi i këtyre dy gjërave ka qenë problem që unë shpresoj që Kosova ta ketë kapërcyer.

