Gjithçka po i shkon kundër, tani Koeman pezullohet 2 ndeshje në La Liga

Është një periudhë shumë negative për Ronald Koeman. I shënjestruar nga drejtuesit për formën jo të mirë të skuadrës dhe kur po diskutohet shkarkimi i tij, për trajnerin holandez vjen një tjetër lajm i keq.

Holandezi është pezulluar për 2 ndeshje nga Komiteti i Kompeticioneve në La Liga për shkak të kartonit të kuq që mori në minutat shtesë në fund të ndeshjes me Cadiz.

Koeman nuk ishte i qetë për shkak të rezultatit zhgënjyes që po arrinte dhe duket se ka kritikuar ashpër arbitrin e katërt të ndeshjes.

Me pezullimin e marrë, trajneri holandez humbet dy ndeshje shumë të rëndësishme në stol me Barcelonën, atë ndaj Levantes në “Camp Nou” dhe supersfidën ndaj Atl. Madrid në Wanda Metropolitano.

Gjithmonë këto parashikime për rikthimin nga pezullimi bëhen gjithmonë nëse Ronald Koeman do të jetë ende trajneri i Barcelonës pasi holandezi është nën presion të madh dhe drejtuesit po bëjnë llogaritë financiare për ndërprerjen e kontratës, shkruan Ora News.