Video/ Napoli nuk ka rivalë, “çmonton” Sampdorian 4-0 dhe kryeson i vetëm. Barazon Lazio

Me Spallettin muzika ka ndryshuar te Napoli. Të kaltërit luajnë mirë, dominojnë me lojë dhe shënojnë gola. E tillë ishte edhe fitorja e radhës për skuadrën e Spallettit, 4-0 në transfertën me Sampdorian e cila është e pesta radhazi për ta në Serinë A.

Victor Osimhen shënoi që në minutën e 10’ për Napolin që mori kryesimin me meritë e nuk u ndal më. Fabian Ruiz në 39’ dyfishoi rezultatin teksa Osihmen sërish në 50’ dhe Zielinski në 59’ vulosën fitoren 4-0 në “Marassi” ndaj Sampdorias.

Me këtë sukses, Napoli kryeson me pikë të plota 15, në krye të klasifikimit i ndjekur nga Inter e Milan me 13 dhe Roma 10.

Ndërkohë në ndeshjen tjetër, zhgënjeu Lazio e shqiptarëve. Ekipi i Sarrit u largua vetëm me një barazim 1-1 në transfertën me Torinon, ku Immobile arriti të shënonte në shtesë për ta mbyllur në barazim sfidën.