Ambasadori gjerman takohet me Çuçin: Nuk ka kohë për të humbur për integrimin në BE

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf,  ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi.

Objekt i bisedës ishte ndër të tjera një vlerësim i bashkëpunimit bilateral policor në luftën kundër krimit të organizuar si dhe një shkëmbim rreth refugjatëve afganë që Shqipëria ka strehuar.

Ambasadori Zingraf: Unë përgëzoj qeverinë e re të drejtuar nga Kryeministri Rama dhe i uroj asaj gjithë të mirat në punën e mëtejshme për reformat. Unë përshëndes kthimin e opozitës në parlament dhe falenderoj Presidentin e Republikës dhe të gjitha institucionet shtetërore të përfshira për tranzicionin e shpejtë. Nuk ka kohë për të humbur, se agjenda e reformave duhet çuar përpara me vendosmëri dhe se integrimi në BE duhet të udhëheqë dukshëm si një yll polar. Për shumicën e cilësuar në parlament që nevojitet në fusha të rëndësishme si p.sh. reforma zgjedhore dhe vijimi i reformës në drejtësi do të jetë i nevojshëm një bashkëpunim konstruktiv i shumicës dhe opozitës.

Nga ana tjetër, ministri Çuçi tha se ambasadori Zingarf i ka dorëzuar raportin e Qeverisë Federale për riorganizimin e Policisë Kriminale dhe reformimin që pritet t’i bëhet Policisë së Shtetit.

Çuçi: Sot pata kënaqësinë që takimin e parë pas betimit si Ministër i Brendshëm në kabinetin e ri qeveritar ta kisha me ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë z.Peter Zingraf. Më dorëzoi zyrtarisht raportin e Qeverisë Federale për riorganizimin e Policisë Kriminale dhe reformimi që do të bëjmë në tërësi në Policinë e Shtetit. Sikundër e bëra me dije në Kuvend kur prezantova Programin për Sigurinë, do të fillojmë menjëherë punën me partnerët gjermanë për ta çuar përpara edhe këtë prioritet. Raporti që më dorëzoi ambasadori është një udhërrëfyes me vlerë tejet të rëndësishme.